Këndi i BE në Bashkinë Kuçovë

Këndi i BE në Bashkinë Kuçovë
Reportazh- nga Erisa Koxhaj
I njejti rrugëtim u ndoq edhe për Bashkinë Kuçovë, dhe strukturën e saj përgjegjëse për integrimin europian.
Këndi i BE-së në këtë bashki është formuar në vitin 2018, po atëhere kur hyri në fuqi vendimi për ngritjen e këtyre zyrave që do të shërbenin për bashkërendimin dhe koordinimin e procesit të integrimit evropian. Megjithkëtë, siç u shprehën punonjëset e zyrës, struktura ka ekzistuar që para 2013 për realizimin e projekteve të ndryshme. Madje, dhe disa prej punonjësve janë po të njejtët që kanë punuar në atë strukturë përpara se të formësohej dhe të funksiononte si zyra e integrimit europian, që do të thotë se në bashkinë Kuçovë struktura nuk ka ndryshuar rrënjësisht dhe nuk është riorganizuar me hapjen dhe integrimin e kësaj zyre të re…

Në hyrjen e pasme të godinës së Bashkisë Kuçovë, në derën e parë në të majtë ndodhet Zyra e Integrimit Evropian. Atmosfera miqësore shihet që në fletën e ngjitur në derë ku shkruhet “Drejtoria e zhvillimit strategjik dhe integrimit europian” dhe ngjitur me të një zemër e vizatuar.
Zyra ishte një dhomë e vogël, e mbushur me dokumente e dosje, dhe kishte të vendosura 3 tryeza dhe 3 kompjutera për 4 punonjëset që ishin emëruar aty. Hapësira ishte e ngushtë dhe 3 punonjëset që ndodheshin në zyrë dukeshin sikur ishin rehatuar në rutinën pasive të asaj zyre. Punonjëset u treguan tepër të sjellshme e miqësore dhe të gatshme për të dhënë informacion.
Njësia e Integrimit Europian në bashkinë Kuçovë nuk kishte një drejtues, por 2 prej punonjëseve, Ola Sallo dhe Lori Daja e prezantuan veten si specialistet që merreshin me koordinimin dhe funksionimin e zyrës. Ndërkohë që në website-in e Këndit të BE-së për Bashkinë Kuçovë figuron tjetërkush si koordinatore, Enkelejda Peco. Ola Sallo ishte e profilizuar në gjuhën italiane, ndërsa Lori Daja nuk ishte e profilizuar në asnjë gjuhë të huaj, por pozicioni i saj i punës ishte mësuese gjeografie.
Në rutinën e tyre punonjëset e zyrës së Këndit të BE-së u shprehën se merren me organizimin e aktiviteteve që planifikohen nga Këndi i BE-së, promovimin e Këndit të BE-së nëpër shkolla dhe në rastet kur u vjen ndonjë projekt për zhvillimin e një aktiviteti, gjejnë materiale për të përmbushur projektin.
Zhvillimi i këtyre aktiviteteve mundësohet nga financimi që bëjnë donatorët dhe sipas dy specialisteve që merreshin me koordinimin bashkia nuk kontribuon dhe nuk i financon 100% këto projekte, pra pjesa më e madhe e financimeve vijnë nga donatorët. Por sipas Delegacionit Europe House, duke qenë se zyrat janë pjesë e strukturave të bashkive dhe personeli i tyre është personel i bashkisë, pagat e punonjësve dhe gjithë aktiviteti i tyre mbulohen nga buxheti i Bashkisë, pasi dhe vet aktiviteti i tyre lidhet me bashkinë dhe është në shërbim të saj. Ndërkohë që duhet theksuar se varësia e zyrave të Integrimit Europian është e ndryshme për bashki të ndryshme. Në Bashkinë Kuçovë kjo zyrë është në varësi të Drejtorisë së Projekteve, Integrimit Europian, Koordinimit me Donatorët dhe Turizmit dhe kjo Drejtori ka qenë dhe është në varësi të Kryetarit të Bashkisë.
Ndërkohë që për rolin e kësaj zyre si monitoruese dhe vlerësuese për përmbushjen e kritereve dhe të standardeve që rrjedhin nga procesi i integrimit europian dhe zbatimit të asistencës së BE-së, dy koordinatoret nuk ishin fort të informuara. Megjithëse ky rol është i shprehur qartë në vendimin e vitit 2018 për bashkërendimin dhe koordinimin e procesit të integrimit evropian ndërmjet qeverisjes qendrore dhe njësive të vetëqeverisjes vendore. Punonjëset fillimisht u shprehën se kjo strukturë nuk e kishte atë funksion dhe nuk ishte detyrë e zyrës së integrimit europian matja e kontributit të bashkisë për përmbushjen e kritereve që rrjedhin nga procesi i integrimit, por pasi u konsultuan me njëra-tjetrën dhe u kujtuan për funksionin që struktura ka treguan se kjo kishte të bënte me matricën, vlerësimin e performancës.
Punonjëset na treguan gjithashtu për aktivitetet promovuese që zhvillohen rreth Këndit të BE-së por megjithatë faktet flasin ndryshe; shumica e qytetarëve nuk kanë asnjë dijeni e informacion për ekzistencën dhe aktivitetet që kjo strukturë ndërmerr. Broshurat promovuese që ftonin qytetarët të vizitonin njësinë e Integrimit Evropian pluhuroseshin sipër tryezës së dy koordinatoreve. Mbetet ende e paqartë nësë kjo ka të bëjë me mosinteresimin nga ana e qytetarëve apo është puna promovuese shkaku që këto struktura, pas 4 vitesh që prej krijimit të tyre, ende nuk njihen.
