Now Hiring: Are you a driven and motivated 1st Line IT Support Engineer?

Blog

Nga vaji i palmës tek higjiena, rreziku që na vjen nga bulmeti

bulmet
Investigime

Nga vaji i palmës tek higjiena, rreziku që na vjen nga bulmeti

RIVIERA DEDAJ

Qumështi është gjithë jeta për Agimin. Në periferi të Tiranës ka ngritur aktivitetin e tij të vogël ku e gjithë familja prodhojnë më duar gjithçka. Nuk është gjë tjetër veç një baxho për djathë të bardhë, djathë kaçkavall e gjizë.

Agimin ka emër të mire në zone dhe gjithë krenari të thotë se zanatin e ka të trashëguar nga i ati, ndaj dhe zërin ia kanë dëgjuar deri në qytet.

Dhe pse me këtë zanat siguron jetesën, Agimi thotë se nuk punon gjithë vitin në baxhon e tij. “Kur ka qumësht në pranverë dhe verë ne punojmë, më pas e mbyllim ”- tregon Agimi.

Në baxhon në periferi të Tiranës prodhohen nënprodukte vetëm nga qumështi i deles dhe i dhisë.
“Ne e blejmë qumështin tek fermerët që i kanë të matrikulluara kafshët. Shkojmë çdo mëngjes dhe marrin furnizimin”- tregon Agimi.

“Me laktometër (aparaturë që kontrollon nëse qumështi përmban ujë) bëjmë kontrollin çdo mëngjes. Nëse qumështi do të kishte shtesa te tjera do humbisja klientët”, shprehet ai.

Baxhoxhiu thotë se mënyra e vetme e kontrollit të cilësisë është vetëm kryerja e analizave.
Sigurisht dhe çmimi për Agimin është një tregues, pasi kostoja e prodhimit është 500 lek për 1 kg djathë të bardhë. “Nëse këtij çmimi do ti shtojmë edhe normën e fitimit të prodhuesit apo tregtarit në dyqan shkon nga 6 mijë deri në 7 mijë lekë për 1 kg djathë deleje. Ndërsa djathi i dhisë është më i shtrenjtë thotë ai pasi qumështi i dhisë ka rreze më të ulët” – shpjegon ai.

Në Shqipëri numërohen rreth 350 njësi të vogla përpunimi të qumështi. Për ekspertin e Bujqësisë dhe Ushqimit, Ilir Pilku ky aktivitet ushtrohet në kushtet e mungesës së theksuar higjieno-sanitare.
“Baxhot, pavarësisht se përpunojnë qumësht të freskët nga kullotat e pasura në zona rurale apo malore, nuk plotësojnë asnjë kriter të sigurisë ushqimore në lidhje me kushtet higjieno-sanitare apo standardeve që procesi prodhimit duhet të kalojë”- shpjegon eksperti.

Raportet e siguruara, flasin vetëm për pak raste të bllokimit të prodhimeve në baxho.

Në qershor të 20018 Edmond Zybës iu bllokuan 400 kilogramë djathë kaçkavall, 3200 kilogramë djathë i bardhë dhe 60 kilogramë gjizë. Baxhoja u mbyll, ndërsa subjekti u gjobit edhe me 300 mijë lekë gjobë.
Agimi thotë se nën shënjestrën e inspektorëve janë vetëm prodhuesit e vegjël, ndaj dhe ai flet në kushtet e anonimatit. “Ne të vegjlit jemi të shënjestra, ndërsa ata të mëdhenjtë (fabrikat) nuk i shqetëson shteti” – shprehet ai.

Rasti i vetëm i goditjes së një subjekti të madh ndodhi në fund të majit të 2019.

Raportet ndër vite të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit-së flasin për ndëshkimin e tregtarëve të vegjël, ndërsa zërat për prodhim të qumështit jashtë standardeve nga fabrika të mëdha janë përgënjeshtruar edhe nga zyrtarë të lartë të Ministrisë së Bujqësisë, edhe pse strukturat e varësisë, sipas KLSH-së kanë dështuar në garantimin e sigurisë ushqimore. AKU, është kritikuar vazhdimisht për mungesë eficense dhe punësime partiake.

Raporti vjetor për vitin 2018, më shumë se sa paraqitja e problemeve në vend, tregon për suksesin e vendosjes së gjobave nga AKU “Gjatë vitit 2018 janë vjelur afro gjysmë milionë euro nga gjobat ose 4.8 herë më shumë se sa në vitin 2017, dhe 6 herë më të larta se sa në vitin 2016”- thuhet në raport.

Rreziku nga vaji i palmës

Përdorimi i vajit të palmës dhe qumështit pluhur ndodh rëndomtë në fabrikat e përpunimit në vend.
Më 20 maj të 2019, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njoftoi se ka gjetur sasi të pajustifikuara të këtyre produkteve në një fabrikë në Divjakë.

“Gjetjet e inspektimit mbi sasitë e pajustifikuara të lëndës së parë prej 2.3 ton qumësht pluhur dhe 21 ton vaj palme ju referuan autoriteteve tatimore për vlerësime të mëtejshme”- njoftoi AKU-ja, sipas të cilës subjektit iu vendosën edhe 500,000 lek gjobë.

Biznesi në fjalë, në nëntor të 2018 është gjobitur po nga ky autoritet me një vlerë prej 6 milionë lekësh të vjetra, dhe AKU- nuk sqaroi rrethanat përse masat ndëshkuese nuk e ka ndaluar prodhuesin të vazhdojë me shkeljet. Vaji i palmës dhe qumështit pluhur ul cilësinë e bulmetit dhe rrit fitimin e prodhuesit.

Eksperti i sigurisë ushqimore, Ilir Pilku e sheh me shqetësim përdorimin e vajit të palmës dhe kazeines (shtesë proteine) në produktet e bulmetit. Edhe pse janë produkte që përdoren në industrinë europiane, në Shqipëri çështja kthehet në shqetësim pasi nuk dihet sasia e përdorimit të tyre. “Edhe në fabrikat më të mëdha në Evropë i përdorin këto lëndë në raporte te caktuara dhe produkti e ka të shënuar në etiketë përqindjen e përmbajtjes se komponentëve në produkt”- thotë Pilku.

Ilir Pilku, ekspert

Eksperti thotë se krejt e kundërta ndodh në vendin tonë. “Salca e kosit apo gjalpi të shitet për produkt me bazë qumështin, por në fakt ka brenda sasi të larta të vajit të palmës”- shpjegoi Pilku, duke apeluar për zbatimin e ligjit në vendosjen e etiketave në produkte.

“Ne kemi fabrika shumë moderne që plotësojnë standardet më të larta higjieno-sanitare, por ajo që ka nevojë ky sektor është të përmirësohet zbatimi i ligjit të ushqimit në lidhje me shpjegimet ne etiketë të përbërësve të produktit”- shprehet ai më tej.

Nga vëzhgimi i marketeve në Tiranë, lehtësisht konstatuam se në disa produkte mungon lista e përbërësve dhe në disa të tjera, përbërësit janë shënuar, por mungon sasia e tyre. Si bie fjala, thuhet se gjalpi përmban 82 për qind yndyrë por pa specifikuar nëse është yndyrë bimore apo shtazore.
Ekspertët thonë se problematike sa i përket sigurisë ushqimore nuk është vetëm mënyra se si punojnë stabilimentet përpunimit të qumështit por gjurshmëria e produktit. Pra si janë ushqyer tufat ku merret qumështi.

Në Shqipëri mungojnë të dhënat epidemiologjike në lidhje me zonat dhe sëmundjet që transmetohen nëpërmjet ushqimeve. Po kështu, mungon matrikullimi i kafshëve apo akoma më keq matrikullimi formal. Dhe këto gjetje janë përfshirë në raportin e AKU-së duke e “hedhur topin” tek Drejtoritë Rajonale të Bujqësisë.

Kërcënimet me burg

Një sasi prej 47 ton yndyre bimore (margarine), që në treg shitej si gjalp u sekuestrua në majin e vitit 2019.

Margarina e importuar nga Ukraina ishte paketuar në sasi të vogla në vendin tonë dhe më pas e shpërndarë në një sërë subjektesh tregtare në vend.

Ministria e Bujqësisë tha se “margarinën për gjalpë do ta konsumonin afro 800 mijë konsumatorë ose ndryshe aq sa është popullsia e kryeqytetit. Çmimi i shitjes me pakicë është 500 lek/kg ndërsa importuesi e kishte blere me 140 lek/kg”. Ministria e Bujqësisë deklaroi se për këtë mega-mashtrim ka vendosur 2.9 milionë lek gjoba për subjektet e kapura në shkelje por nuk ka pezulluar licencat e tyre dhe madje u ruan identitetin.

Si masë për të parandaluar përsëritjen e rasteve si ai “i margarinës ukrahinase”, zyrtarë të Ministrisë deklaruan se kanë kërkuar ndryshimin e Kodit Penal për të dënuar me burg abuzuesit që dëmtojnë shëndetin e konsumatorëve.

Nisma e qeverisë duket se vjen nga fakti se në Shqipëri mungon një kuadër i plotë për sigurinë ushqimore dhe përgjegjësitë ligjore në zinxhirin e sigurisë ushqimore karakterizohen nga dublime dhe mungesë eficence.

Nuk ka çeduar vetëm AKU si institucioni kryesor, por edhe Drejtoritë Rajonale të Bujqësisë për pjesën e matrikullimit, ISUV për analizat laboratorike, bashkitë për kushtet në tregje, dhe në fund Prokuroria e cila ka mbyllur hetimet për rastet e referuara nga AKU.

Përgjegjësja e sektorit juridik në AKU, Arsjola Dyrmishi tha në RTSH se në 2018 janë referuar në organin e prokurorisë 65 raste për vepra penale që lidhen me sigurinë ushqimore, por vetëm në pak raste janë dhënë dënime, dhe këto minimale.

Dënimet mbeten gjithsesi në “letër”, pasi keqbërësit lirohen shpejt nga gjykatat ose përfitojnë nga amnistia e miratuar nga Parlamenti pothuajse në çdo vit, ndërkohë që zinxhiri i aktivitetit të tyre kriminal vazhdon të minojë sigurinë ushqimore në vend.

Në këto kushte qeveria duket se e sheh zgjidhjen tek ndërhyrja në Kodin Penal, duke ashpërsuar dënimin për shkelësit e ligjit në këtë fushë.

Kjo nismë ka krijuar pakënaqësi në radhë të parë tek operatorët e biznesit. “Modifikimet e reja krijojnë një çekuilibër total në fushën e biznesit duke e bërë pothuajse të pamundur pastaj veprimtarinë ekonomike të biznesit të operatorëve për shkak se çdo operator është i kërcënuar për të hyrë së paku 1 herë në jetë në burg në qoftëse ushtron aktivitete në fushën e biznesit ushqimorë”- tha Alban Zusi kryetar i shoqatës së industrialistëve.

Qeveria e kryesuar nga Edi Rama, shpreson që ndryshmet e propozuara prej saj të miratohen në Parlament brenda kësaj legjislature, ndërkohë që për ekspertët zgjidhja për të garantuar sigurinë ushqimore nuk qëndron tek kërcënimet me burg.

“Shqipëria është në një situatë emergjence kombëtare për sa i përket sigurisë ushqimore dhe kjo problematikë duhet trajtuar e plotë, duke gjetur njëherë shkaktarët dhe më pas duke bërë ndryshimet ligjore”- shprehet avokati i njohur Jordan Daci.

Jordan Daci, avokat

Qeveria, nëpërmjet ndryshimeve të propozuara në Kodin Penal, kërkon të dënohen penalisht ata që prodhojnë, ruajnë, transportojnë apo tregtojnë, prodhime të pasigurta. Po ashtu kërkohet ashpërsimi i dënimit për falsifikuesit e produkteve ushqimore.

Më konkretisht, për prodhimin dhe shitjen e ushqimeve dhe lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin kërkohen dënim me burgim deri në 3 vite. Kur vepra kryhet në bashkëpunim, ose kur nga kjo vepër penale ka ardhur vdekja ose dëmtimi i rëndë i shëndetit të personit, dënohet me burgim nga 3 deri në 10 vite. Por, kur nga vepra është shkaktuar vdekja ose dëmtimi i rëndë i shëndetit të disa personave, të fëmijëve, grave shtatzëna, dënohet me burgim jo më pak se 10 vite.

Juristi Daci thotë se këto ndryshime nuk janë të mjaftueshme për të parandaluar situatën në të cilën ndodhet Shqipëria.

“Problemi më i madh që këto ndryshime kanë është fakti që sikurse janë formuluar, nuk i japin zgjidhje problemit më të rëndë që përballemi si shoqëri që është përdorimi i simulantëve dhe substancave të rrezikshme si në llojë dhe në mase në rritjen e përshpejtuar të produkteve bujqësore dhe blegtorale, pjekjen e sforcuar të produkteve bujqësore duke përfshirë përdorimin e substancave të rrezikshme për ta bërë produktin më të marketueshëm sikurse janë: shkëlqyesit, ngjyruesit etj, paketimin dhe ripaketimin jashtë kushteve dhe në forma e me mjete të rrezikshme”-thotë Jordan Daci.

• Ky artikull eshte prodhuar nga Qendra e Tiranes per Gazetari Ekselente (TCJE.org), nen projektin “Siguria Ushqimore: A mund te besojme ne ato qe hame,” me mbeshtetjen e Ambasades Amerikane ne Tirane, permes programit te Komisionit Demokratik te Granteve te Vogla (Democracy Commission Small Grants Programme). Pikëpamjet dhe mendimet e shprehura në këtë artikull u takojnë autorëve dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht politikat zyrtare apo qëndrimet e asnjë agjencie te Shteteve të Bashkuara të Amerikës.