Përse politika e jashtme po mungon nga fushata zgjedhore në Shqipëri

Kur flitet për marrëdhëniet me fqinjët, Tirana ka pasur një qasje amatore ndaj politikës së jashtme, teksa diplomacia e saj shfaq arrogancë dhe shpesh padituri në punët e jashtme – të ndërthurura këto me një qasje populiste, e cila ka çuar në marrëdhënie të vazhdueshme konfliktuale me fqinjët.

 Është e kuptueshme që, në një vend të vogël si Shqipëria, politikës së jashtme të mos i kushtohet shumë vëmendje gjatë fushatës zgjedhore. Kjo është më se e vërtetë për një vend të vogël që është edhe i varfër, që ka një shkallë mjaft të lartë papunësie dhe një sistem shtetëror, që është aq i dobët sa nuk mund t’u garantojë dot qytetarëve të vet shërbime bazë cilësore si infrastruktura, kujdesi shëndetësor, arsimi dhe drejtësia. Këto kanë përparësi, ndaj edhe politika e jashtme mbetet prapa listës.

Por edhe konteksti politik ka ndryshuar. Në vitet e para të tranzicionit shqiptar, politika e jashtme shihej si një vendim strategjik për rindërtimin e shtetit, me fokus te ekonomia dhe te krijimi i lidhjeve me Perëndimin. Shqipëria duhej të linte pas izolimin e saj të detyruar nga një sistem, i cili kishte ngritur pengesa surreale në marrëdhëniet me botën. Tani që vendi ka marrëdhënie të qëndrueshme me Perëndimin, sfida kryesore është krijimi i një ekonomie funksionuese dhe krijimi i një shoqërie demokratike. Si rregull kryesor, një politikë e jashtme e suksesshme, e qëndrueshme, i jep rezultatet e saj pozitive vetëm kur politikat e brendshme janë të suksesshme.

Vetëm një muaj përpara zgjedhjeve në Shqipëri vijonte tradita e vjetër njëzet e pesë vjeçare e konfliktit dhe e ndarjes. Klasa politike e Shqipërisë vazhdon të tregojë kompleksin e saj të varësisë dhe inferioritetit të madh ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Atëherë, në këto rrethana, ç’lloj politike të jashtme mund të ketë?

Faktorët, që u përmendën më sipër, nuk i bëjnë çështjet e politikës së jashtme tërheqëse për partitë politike në fushatën zgjedhore. Ndaj edhe programet e strukturuara të politikës së jashtme nuk shihen askund në debatet zgjedhore. Në vend të tyre ka premtime – të gjitha për të pasur më shumë vende pune dhe më shumë të ardhura – të cilat, sipas ekspertëve, nuk janë reale. Edhe pse politika e jashtme mungon nëpër debate e sidomos në trajtimin e çështjeve rajonale, ajo shfaqet në programet zyrtare të partive politike në Shqipëri.

Situata aktuale bie ndesh me mënyrën se si qeveria ka vepruar gjatë katër viteve të kaluara, duke u sjelle si një gjigant në punët ndërkombëtare dhe ka qenë aktive për çështje të tilla si e ardhmja e marrëdhënieve trans-atlantike, në krizën e Azisë Jugore, programin bërthamor të Koresë së Veriut – dhe në çështje të tilla si marrëdhëniet midis Rusisë, SHBA-së dhe BE-së. Por duke hedhur vështrimin tek fushata zgjedhore, partitë shqiptare sigurisht që qëndrojnë larg nga këto çështje të mëdha globale.

Kjo sigurisht që është një gjë e mirë : Një vend i vogël me tre-katër milionë banorë, gjysma e të cilëve dëshirojnë të emigrojnë dhe një shtet i dobët që gjithmonë ka nevojë për ndërhyrjen ndërkombëtare në qeverisjen dhe politikat e brendshme nuk mund të merret me çështje botërore.

Por partitë që shpresojnë të qeverisin vendin në katër vitet e ardhshme duhet të fokusohen vërtet në disa çështje të caktuara të politikës së jashtme, që lidhen me interesat bazë të Shqipërisë, me rendin e saj demokratik, sigurinë rajonale dhe stabilitetin. Këto janë çështje që ndikojnë mbi votuesit shqiptarë dhe mbi Shqipërinë. Për shembull, le t’u hedhim një vështrim marrëdhënieve të Shqipërisë me Greqinë. Gjatë katër viteve të fundit, këto marrëdhënie, me këtë fqinj shumë të rëndësishëm për Shqipërinë, kanë mbetur në vend. Qëndrimi populist iu ka shkaktuar më shumë dëm këtyre marrëdhënieve dhe e ka ndalur përmirësimin e tyre.

Kur flitet për marrëdhëniet me Greqinë, Tirana ka mbajtur një qëndrim prej amatori në politikën e jashtme, teksa diplomacia e saj ka shfaqur arrogancën dhe shpesh herë paditurinë në punët e jashtme – të ndërthurura këto me një qasje populiste, e cila ka çuar në marrëdhënie të vazhdueshme konfliktuale.

Gjatë katër viteve të fundit, udhëheqësit iu kanë rënë daulleve edhe për marrëdhëniet me Kosovën, megjithëse rezultatet konkrete duken në nivelin e ulët të marrëdhënieve ekonomike midis të dy vendeve. Qëndrimi populist ka dëmtuar përsëri zhvillimin e duhur të marrëdhënieve midis këtyre dy vendeve sovrane.

Kjo është përkeqësuar edhe nga qëndrimi paternalist i Tiranës ndaj Prishtinës, një veprim që duket se ka pasur mjaft kundërvënie nga qeveria e Kosovës dhe elita e saj politike.

Edhe marrëdhëniet me Maqedoninë përfunduan gati në ngrirje, përsëri për shkak të qasjes populiste dhe paternaliste të shefave të politikës së jashtme në Tiranë, përfshi edhe “platformën shqiptare,” të gatuar në Tiranë dhe nën drejtimin e qeverisë së Tiranës gje që e minoi marrëveshjen e arritur midis partive politike shqiptare në Maqedoni kur kjo marrëveshje u sulmua si e fabrikuar jashtë vendit dhe nuk ishte një marrëveshje e natyrshme në të mirën e bashkësisë së atjeshme shqiptare dhe të Maqedonisë në tërësi. Për më tepër, ajo marrëveshje nuk thoshte ndonjë gjë më shumë se sa çështjet që prej kohësh janë përcaktuar në Marrëveshjen e Ohrit.

Marrëdhëniet me Serbinë, pavarësisht nga shtimi i dialogut midis dy kryeministrave, nuk arritën dot të viheshin mbi një themel normal, të qëndrueshëm, afatgjatë. Shkëmbimet midis dy vendeve janë të pakta, sidomos kur vjen puna për ekonominë.

Për më tepër, pretendimi i Shqipërisë për të udhëhequr pajtimin midis shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan është jo realist, i pamundshëm dhe me të drejtë është refuzuar nga udhëheqësit e Kosovës.

Qeveria e Kosovës e ka bërë të qartë se pajtimi i shqiptarëve dhe serbëve kalon nga Prishtina dhe jo nga Tirana.

Po kështu Prishtina ka refuzuar një qasje paternaliste të Tiranës kur është fjala për marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë. Udheheqësit më të lartë politikë në Kosovë e kanë bërë të qartë se Shqipëria nuk mund të diskutojë me Serbinë, në emër të Kosovës, çështje që lidhen me Kosovën. Serbia dhe Kosova mund t’i diskutojnë problemet dypalëshe si dy shtete sovrane.

Të gjitha këto çështje mund dhe duhet të kishin qenë pjesë e fushatës, por nga mungesa e një qëndrimi koherent dhe fitimprurës, aty vazhdojnë akoma të bien daullet e populizmit.

PDIU është i vetmi element nacionalist në këtë fushatë, pas largimit nga gara të Aleancës Kuq e Zi. PDIU po flet për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare, duke iu shitur votuesve një gënjeshtër me shpresën e marrjes së votave. Kjo parti, që përfaqëson kryesisht bashkësinë çame, është e vetmja deri tani që është fokusuar te çështja kombëtare, duke folur për të si 100 vjet më parë. Megjithëse ka shumë retorikë, mungesa e një qëndrimi serioz mbi politikën e jashtme bën që premtimet të mos mbahen. Madje edhe çështja çame trajtohet më shumë si një mit, se sa për të gjetur një zgjidhje reale për atë bashkësi.

Kurse kapaku i artë është rinovimi i Sheshit Skënderbej në Tiranë, i cili u hap  këtë fundjavë pas një vlere rindërtimi me miliona euro. Ai paska gurë nga të gjitha trevat ku banojnë shqiptarët në rajon, madje edhe nga Lugina e Preshevës, në Serbinë Jugore, si edhe nga Filati, në Greqinë Veriore, me idenë se Tirana qenka kryeqyteti i kombit shqiptar. Kjo nuk është veçse populizëm. Kryeqyteti i Preshevës dihet që është Beogradi, i Filatit dihet që është Athina, e cila dihet që është kryeqytet i aleatit të Shqipërisë në NATO, Greqisë. Po Tirana nuk është as kryeqytet i Kosovës, se dihet që ajo ka kryeqytet Prishtinën.

Posted in Kryesore, Zgjedhje 2017
Follow TCJE: Twitter Facebook

TCJE presentation

A different approach: Implementing a nonprofit media model, TCJE’s mission is to improve the quality of journalism in Albania, focusing on providing coverage that strengthens democracy, rule of law and human rights. More

Supporting quality coverage: Find out about our donors and partners and how you too can assist. More