Asbesti i komunizmit shkatërron shëndetin e qindra shqiptarëve çdo vit nga mosnjohja e rrezikut

Shqipëria është e mbuluar me rreth 90 mijë tonelata asbest vdekjeprurës i mbetur nga koha e komunizmit — dhe ka shumë pak ndërgjegjësim publik për rreziqet e tij apo ndjekjen e duhur të sëmundjeve që vinë si rrjedhojë, thonë ambientalistët.

Çatitë me asbest-çimento Eternit janë përdorur gjerësisht në Shqipëri para vitit 1990.

Çatitë me asbest-çimento Eternit janë përdorur gjerësisht në Shqipëri para vitit 1990.

Ndërsa turistët mundohen të gjejnë një autobus për në Rivierë nën diellin përvëlues të gushtit në Tiranës, pluhuri i zonës ngrihet përpjetë në stacionin te autobusëve të improvizuar në një ish-zonë industriale të qytetit nga ku mijëra njerëz nisen çdo ditë për në destinacionet jugperëndimore të Shqipërisë.

Autobusi është parkuar pranë një ndërtese ku shumica e çatisë së kohës së komunizmit tashmë është shkatërruar. Pjesa e mbetur është e plasaritur dhe thyer, me copa të vogla të çatisë që bien herë pas here poshtë. Çatia e godinës ka si përbërës një përzierje të çimentos me fibrat e asbestit (amiantit), një lëndë e njohur botërisht si shkaktare e sëmundjeve vdekjeprurëse të mushkërive që tregojnë simptomat një dekadë apo më shumë pas ekspozimit.

Për shkak të natyrës së tij vdekjeprurëse, përdorimi i asbestit është ndaluar në botën e zhvilluar, ku vetëdija e lartë publike në lidhje me rreziqet ka çuar në veprime të kushtueshme për pastrimin dhe mirëmbajtjen e asbestit të përdorur më parë për të mbrojtur qytetarët nga rreziku.

Në Shqipëri ka shumë pak njohuri për këtë rrezik, dhe ashtu si stacioni i autobusëve, vendi është ende i mbuluar me asbest vdekjeprurëse të kohës komuniste – dhe shumica e tij është në çati të vjetëra si kjo këtu që po shkatërrohen, një gjë që e bën atë më të rrezikshëm.

Ka shumë pak vetëdije të publikut për këte rrezik, thonë ambientalistët, duke vënë në dukje se forma më vdekjeprurëse e sëmundjeve të lidhura me asbestin, Mesothelioma, është tashmë e pranishme me rreth 120 raste në vit për 2.8 milion banorët e Shqipërisë.

Popullsia në përgjithësi nuk e di shumë për rreziqet që lidhen me asbestin, thotë Romeo Hanxhari, një akademik i cili e ka studiuar këtë çështje për vite me rradhë. Ai shton se është shqetësuese sepse “kemi parë rreth 60 raste të reja të Mesotheliomas në vit në bazë të të të dhënave diagnostike të spitaleve, por ka të ngjarë që këto të jenë raportuar nën numrin real, dhe mund të jetë dyfishi i të prekurve në vit.”

Studimet e bëra deri tani tregojnë se sasia e asbestit të përdorur në Shqipëri në periudhën 1930-1990 është 188 mijë tonë, ndërsa rreth 90 mijë janë ende në përdorim edhe sot.

“Produkti më i përhapur në Shqipëri me asbest është ai i asbest-çimentos që përmban 10-25 për qind asbest,” thotë Hanxhari, i cili shton se shumica e këtij prodkti është prodhuar në Shqipëri. “Në vitet ’60 një fabrikë për asbest-çimento u ndërtua ketu dhe ishte në punë deri në vitin 1992. Materiali ngjeshej dhe përdorej si kulm për çatitë apo mure, por dhe për një gamë të produkteve të tjera si tubacione, kanalizime, ullukë dhe depozita uji”.

Një ekip studiuesish nga Shoqata për Politika të Reja të Mjedisit, një OJQ me qendër në Tiranë, tentoi dy vjet më parë për të studiuar më mirë numrin e të sëmurëve nga asbesti në Shqipëri, dhe ata gjetën se nuk kishte një monitorim të mirëfilltë nga autoritetet shëndetësore. Studiuesit gjetën se zyrtarët shëndetësorë i pyesnin pacientët e kancerit të mushkërive vetëm në se ata pinin duhan — dhe 98 për qind e pacientëve të tillë janë duhanpirës — por nuk shikonin më thellë për të dalluar shkaqet e tjera të mundshme për këtë sëmundje të rënde.

Përdorimi i asbestit, që njihet ne shqip edhe si  amiant, sot është ndaluar në BE dhe Shqipëri, por problemi mbetet se çfarë do të bëhet me tonelatat që tashmë janë anembanë Shqipërisë, thotë Petrit Vasili, një politikan, mjek dhe ish-ministër i shëndetësisë që ka bërë një libër për këtë çështje — “Amianti: Vrasësi i heshtur”.

“Metodat që duhet të përdoren për të trajtuar materialet e rrezikshme janë shkencërisht të qarta, kështu që ato duhen përdorur për të qenë të sigurtë që heqja e amiantit nuk e bën problemin më më keq duke e eliminuar atë në mënyrën e gabuar,” tha Vasili në një konferencë në vitin 2013 .

Çdo heqje e produkteve të asbestit duhet të bëhet me kujdes të madh në mënyrë që materiali mos të përhapet në ajër, megjithatë, gazetarët TCJE kanë gjetur prova se kur godinat industriale u shembën në lagjen Ish Uzina Enver të Tiranës, çatitë me asbest u trajtuan thjesht si mbetje të zakonshme e të parrezikshme.

Gazetarë të TCJE-së që intervistuan banorë në pikat e nxehta të Shqipërisë panë se kishte pak vetëdije në popullsi për praninë e një matëriali vdekjeprurës në në shumë qytete e fshatra shqiptare.

Përveç stacionit të autobusëve në afërsi të lagjes Ish Uzina Enver të Tiranës, ku godinat e vjetra industriale janë të gjitha të mbuluara me çati me asbest, gazetarët TCJE-së gjetën çati të tilla të vjetra dhe të dëmtuara në shumë vende të tjera – për shembull në tregun kryesor të perimeve të qendrës së Tiranës, Pazari i Ri, në fermat rreth Tiranës, në periferitë e Tiranës (Porcelan, Uzina Auto Traktorëve) dhe në zonat industriale rreth disa qytete të mëdha, duke përfshirë Fierin, Vlorën, Elbasanin dhe Korçën.

Një nga zonat më të ndotura, është ish-fabrika e asbestit në Vlorë, 110 kilometra në jug të Tiranës. Edhe pse puna prodhuese ndaloi në vitin 1992, vendi akoma përmban mbeturinat e asbest-çimentot.

Disa nga produktet e asbestit janë përdorur edhe për të mbuluar shtëpitë e banimit. Në një qytet të vogël, për shembull, Laç Vau i Dejës, në Qarkun e Shkodrës, shtëpitë një lagje të tërë ishin të mbuluara me çati të asbest-çimentos.

“Është e njohur si Lagjja a Eternitit,” thotë një djalë i ri në këtë qytezë, duke iu referuar emrit tregtar materialit të asbest-çimentos me ngjyre gri edhe te valëzuar përdorur gjerësisht në Shqipëri. “Jam rritur atje. Nuk e dija fare që materiali është i rrezikshëm.”

Për fat të mirë për shumicën e shqiptarëve, përdorimi i Eternitit nuk ishte përhapur gjerësisht në shtëpitë e banimit gjatë komunizmit, por zonat e vjetra industriale si dhe stallat apo godinat e mallrave bujqësore që janë nga koha e kominizmit janë ende të mbuluara gjerësisht me këtë material vdekjeprurës. Shumica e ketyrë çative është në gjendje të amortizuar, gjë që e bën më të lehtë për fibrat vdekjeprurëse për t’u përhapur në ajër pasi arrijnë t’i shpëputen lidhjes me çimenton.

Si pjesë e procesit të integrimit në BE, Shqipëria do t’i duhet të ndjeke direktivat e BE-së për asbestin, si dhe planet e veprimit, iniciativat dhe standardet e duhura, thonë ekspertët – por vendi do të përballet me një betejë të vështirë për t’u pastruar si duhet nga ku material i rrezikshëm.

Një problem tjetër është se pavarësisht ndalimit zyrtar, ka raporte se sasi të vogla të materialeve të ndërtimit që përmbanjnë asbest ende futen dhe përdoren në Shqipëri, por përdorimi është i kufizuar.

“Ndërsa fabrika e madhe e asbestit që punonte në Shqipëri gjatë epokës komuniste është zhdukur, disa njësi të vogla vazhdojnë të punojnë me asbest”, vë në dukje një raport nga Sekretariati Ndërkombëtar për Ndalimin me Ligj të Asbestit. “Duke pasur parasysh përdorimin historik të asbestit në vend, tubat e asbest-çimentos dhe materialeve të ndërtimit izolues me asbest janë tashmë pjesë përbërëse e infrastrukturës kombëtare”.

Ka pasur disa përpjekje vendore dhe ndërkombëtare për t’u marrë me këtë situatë. Në prill 2012, për shembull, një program trajnimi nga Institutit Shqiptar të Shëndetit Publik, mbështetur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, u mbajt në Shqipëri, për të trajnuar zyrtarët dhe punëtorët në shërbimet shëndetësore për të eliminuar sëmundjet qe lidhen me asbestin. Mjekë, infermierë, teknikë, edukatorë shëndetësorë, epidemiologë dhe nëpunës civilë ndoqën leksione nga ekspertë ndërkombëtarë.

Si rezultat i diskutimeve intensive që ndodhën në vitin 2012, ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë dolën me një deklaratë të përbashkët duke theksuar nevojën për të adresuar rrezikun e përhapur që vjen nga asbesti në Shqipëri të cilat ata thonë se përbën “një kërcënim të madh për shëndetin në punë dhe të mjedisit.”

Pas viteve “të lobimit dhe studimeve për temën e asbestit në Shqipëri … ka ardhur momenti i duhur kur të gjitha palët e interesuara në vend, veçanërisht ato politike, kanë filluar ngadalë por në mënyrë të vendosur për të parë qartë se sa shumë serioz është ky problem,” thotë studiuesi Hanxhari, duke shtuar se është me rëndësi që rritet ndërgjegjësimi politik dhe shoqëror për të mbrojtur çdo ekspozim të mëtejshëm të popullsisë nga ky material i dëmshëm.

Raportuar dhe shkruar nga Andi Balla, ky artikull eshte prodhuar nga Qendra për Eksekencë në Gazetari – Tiranë (TCJE.org) si pjesë e Programit për Raportimin e të Drejtave të Njeriut.

Posted in Kryesore, Të Drejtat e Njeriut, Veshtrim i Zgjeruar
Follow TCJE: Twitter Facebook

TCJE presentation

A different approach: Implementing a nonprofit media model, TCJE’s mission is to improve the quality of journalism in Albania, focusing on providing coverage that strengthens democracy, rule of law and human rights. More

Supporting quality coverage: Find out about our donors and partners and how you too can assist. More