Kërkohet më shumë vëmendje ndaj braktisjes së shkollës për shkaqe ekonomike

Zhytur në varfëri, shumë fëmijëve të zonave rurale i mungon aksesi në arsimim

Nga BUJAR KAROSHI*

Po afron 1 qershori, dhe Emrahi, një djalosh 15 vjeçar nga një fshat i Dibrës, 180 km larg Tiranës, i gëzohet shumë pranverës, pasi ai ka mundësi të punojë dhe të sjellë të ardhura për familjen. Po ai nuk e di çfarë është 1 qershori. Ndërsa për të është thjeshtë një datë në kalendar, për bashkëmoshatarët e tij dhe fëmijët e tjerë, janë ditët kur sensibilizohet ndalimi i dhunës, abuzimit, kundër punës dhe të drejtave të tyre, si dhe njw festim it të qenit fëmijë – po edhe vetë edukimit.

Në këtë datë, po dhe të tjera ditë ndërkombëtare që kanë lidhje me grupe të caktuara fëmijësh, mediat krijojnë një hapësirë të veçantë për ta dhe interesohen më shumë se kurrë për të drejtat e tyre — ku ndër më të rëndësishmet është e drejta për arsimim, që garantohet jo vetëm nga Kushtetuta e Shqipërisë, por edhe nga një numër i konsiderueshëm i konventave ndërkombëtare, të cilat Shqipëria i ka miratuar.

Ndërsa në Shqipëri veprojnë një sëre organizatash për të ndihmuar komunitetet në nevojë, fëmijët e zonave rurale, shpesh herë të zhytur në varfëri, nuk kanë gjetur ende mbështjetje për të drejtën primare për arsimim.

Sipas statistikave zyrtare të Ministrisë së Arsimit, në janar 2012 e kanë braktisur shkollën në arsimin e detyrueshëm 9-vjeçar në gjithë Shqipërinë mbi 1400 fëmijë, shumica e të cilëve vjen nga familje të varfra. Atyre u shkelet e drejtat themelore për arsimim. Por për qarkun e Dibrës kjo statistikë tregon numrin zero, që, në fakt, nuk është e vërtetë bazuar mbi raportimin në terren.

Fëmijë të varfër në zolla të thella të Shqipërise shpesh jetojnë në shtëpi gati të pabanueshme dhe nuk kanë akses në arsimimin e duhur apo në vakte ushqimi në shkollë, raporton Bujar Karoshi për TCJE-në nga një fshat i vogël në qarkun e Dibrës, 180 km nga Tirana.

Fëmijë të varfër në zolla të thella të Shqipërise shpesh jetojnë në shtëpi gati të pabanueshme dhe nuk kanë akses në arsimimin e duhur apo në vakte ushqimi në shkollë, raporton Bujar Karoshi për TCJE-në nga një fshat i vogël në qarkun e Dibrës, 180 km nga Tirana.

Analfabetizmi rëndon më shumë se varfëria

Familja Hoxha në fshatin Laçes, një fshat 10 km në veri të Peshkopisë, është e varfër. Familja prej 6 anëtarësh mbahet me një pension mujor prej 9000 lekësh. Nga larg, shtëpia duket si një ahur bagëtish. Është e ndërtuar me plita, si shumë shtëpi në këtë zonë, dhe e mbuluar me tërnit. Kur afrohesh, shikon se në vend të derës janë disa dërrasa të kryqëzuara, ndërsa në vend të dritareve normale për një banesë, janë disa copëza të tjera dërrase, mbështjellë me plastmas. Kur i shikon derën dhe dritaren, të krijohet përshtypja se ata janë vendosur aty për të penguar daljen, jo se në banesë jetojnë njerëz. Nga dritarja del një bori sobe që nxjerr tym. Ngjitur me shtëpinë është një koshar misri, hambari i shtëpisë. Me vështirësi mund të dallosh disa kallinj të tharë, që duken si rezervat e fundit për ushqim në hambarin e shtëpisë.

Dy vajzat e rritura të kësaj familje, megjithëse me rezultate të mira në shkollë, nuk kanë mundur të ndjekin studimet për shkak të pamundësisë financiare të familjes. Ndërsa djali i madh, Emrahi, 15 vjeç, e ka braktisur shkollën në klasën e 11. Nuk ka mundësi të blejë libra dhe thotë se i vjen turp të shkojë në shkollë. Megjithatë, ai mund të lexojë, por për të shkruar ka harruar. Bën disa veprime të thjeshta matematikore, pasi mendohet jo pak. Po ashtu, mendohet edhe kur e pyet se si quhet mjeti i shkrimit që mbaj në dorë. Herën e fundit që ka shkruar një letër nuk e mban mend. Por Emrahi të paktën punon. Kosit jonxhë gjatë verës dhe për këtë shpërblehet me 1000 lekë për dynym.

Arifi është djali i  vogël i shtëpisë. Ai duhet të ishte në klasën e pestë, por ka mbetur në klasën e katërt dhe nuk shkon në shkollë. Rrobat që mban veshur ia kanë sjellë të afërmit në Tiranë. Ata sjellin vazhdimisht për të gjithë familjen. Një vizitor në shtëpi i dhuron Arifit një libër me përralla. Ai e shfleton faqe pas faqeje dhe vë re se shikon vetëm figurat. Aty fillon e kupton se nuk di të lexojë. Kur i kërkohet të lexojë një paragraf, pasi ndalon buzëqeshjen, kthen sytë nga shokët e tij, Kevin 14 vjeç dhe Deni 11 vjeç, sikur do të thotë: “Ç’duhet të bëj”? Por as Kevin dhe as Deni, dy fëmijët në lagjen e tij, nuk e ndihmojnë dot. Ata nuk dinë të lexojnë për vete.

kids with books

Fëmijët kanë lënë shkollën dhe nuk dinë të lexojnë.

Vizitorët i dhurojnë libra për fëmijë të tre shokëve. Çuditen dhe pyesin: Ç’ish t’bëjmë me kto? U thonë se duhet t’i lexojnë dhe të kënaqen me aventurat e mrekullueshme të librit, por ata shikojnë njëri-tjetrin dhe nuk dinë ç’të bëjnë. Kam marrë me vetë një libër për parashkollorët “Përgatitem për klasën e parë”. Shkronjat janë të mëdha, por prapë Arifi nuk di ta lexojë. “Spec” e lexon “mollë” dhe “derri” e lexon “kalë”. Ndërsa “banane” e dallon nga figura. Ia mbuloj figurën me njërin gisht të dorëz dhe i kërkoj të ma rilexojë sërish, por nuk e bën dot. Shkronjën “A” e thotë pasi mendohet, ndërsa “C”, “M”, “LL”, “K” dhe të tjera shkronja që zgjidhen rastësisht nga shfletimi i librit nuk di të m’i lexojë. Ndërsa një libër tjetër me historinë e Spiderman nuk ia lexon dot asnjë shkronjë, ndërsa heroin e dashur të fëmijëve e ka parë në filma.

Si Arifi është edhe dy shokët e tij, vëllezërit Geni 14 vjeç dhe Kevin 11 vjeç e kanë braktisur shkollën që në klasë të tretë.

Për të tre bashkëmoshatarët nuk është interesuar njeri. Prindërit nuk kanë qenë asnjëherë në Drejtorinë Arsimore, në komunë apo diku tjetër për të kërkuar ndihmë për shkollimin e fëmijëve. E ëma e Arifit thotë se “fëmijët i kam të zgjuar, por nuk kemi para që t’u blejmë libra”. Bilali, i ati, nuk ka qenë asnjëherë në ndonjë institucion të pyesë nëse ka ndonjë mundësi që fëmijët e tyre mund të marrin libra falas, ndërsa mësuesja dhe drejtues të shkollës nuk kanë qenë ndonjëherë në shtëpinë e tyre.

Shtepia e familjes Hoxha.

Shtepia e familjes Hoxha.

Prindërit nuk janë të ndërgjegjshëm për atë që po pengojnë fëmijët e tyre. I them Bilalit se, sipas Kushtetutës së Shqipërisë dhe Konventave ndërkombëtare për fëmijët, fëmijët e tij duhet të arsimohen falas dhe se ai dënohet për shkak se nuk i çon fëmijët në shkollë. Por Bilali nuk është në gjendje ta kuptojë këtë. Fjalën “konventë” e mendon se është ndonjë fondacion që mund ta ndihmojë ekonomikisht. Ai vuan nga një sëmundje epileptike dhe familja ka në pronësi vetëm 7 dynymë tokë, shumicën e së cilës e kanë mbjellë grurë, “për të mbushur barkun me bukë”.

Vullnetarë të shoqërisë civile veprojnë, institucionet heshtin

Haki Përnezha, mësues në shkollën 9-vjeçare Fushë Alie, thotë se janë disa familje që ose nuk i sjellin fëmijët në shkollë, ose e ndërpresin shkollën me periudha të caktuara. Ai numëron rreth 20 fëmijë në këtë fshat që kanë ndërprerë shkollën për arsye ekonomike, ndërsa thotë se edhe familje të tjera rrezikojnë t’i heqin fëmijët nga shkolla, për shkak se nuk munden t’u blejnë as libra.

Zamira Gjeleshi është një tjetër mësuese në Gjimnazin e Maqellarës. Ajo prej 19 vitesh punon si arsimtare. Është diplomuar për studimet master në menaxhim dhe udhëheqje arsimi dhe po tani po kryen studimet e doktoraturës.

“Në vitin 2008, – thotë Zamira, unë kam punuar si vullnetare pranë “Partnerë për Fëmijë” dhe në atë periudhë vetëm në zonën e Maqellarës numëroheshin rreth 96 fëmijë që kishin braktisur shkollën, kryesisht vajza”.

Disa nga arsyet ishin kalimi i sistemit arsimor nga 8+4 në 9+3, pasojat e emigracionit të prindërve, keqmenaxhimi i shkollës,largësia e madhe nga shkolla, relievi i thyer, braktisja e fshehtë, kushtet financiare etj. Por me një bashkëpunim prindër-pushtet vendor-drejtori arsimore është arritur që ky numër të ulet shumë dhe të ofrohet shërbim psikologjik për shkollat 9-vjeçare dhe transport.

World Vision, një organizatë që po punon me fëmijët dhe po i ndihmon ata të mbrohen dhe të ruhen nga çdo lloj abuzimi dhe diskriminimi, ka hapur zyrat e saj në Dibër prej vitit 2008. Në vitin 2010, Ministria e Arsimit dhe Shkencës i jep të drejtën World Vision, të hyjë dhe të punojë në shkollat e të gjithë vendit. Prej asaj kohe, kjo organizatë ka punuar vazhdimisht më fëmijët që kanë probleme me braktisjen e shkollës, për shkak të varfërisë, shëndetit apo problemeve të tjera sociale.

Sipas raportit vjetor të organizatës për vitin 2012, janë rreth 4000 fëmijë në tre komuna: Kastriot, Tomin dhe Maqellarë që janë nën monitorim. Aktualisht, sipas një prej vullnetarëve që bashkëpunon me ëorld Vision, në këto tre komuna janë 20 fëmijë që nuk ndjekin shkollën për arsye se nuk kanë mundësinë që të paguajnë për arsimimin e tyre dhe 4 raste të tjera për arsye se fëmijët janë të sëmurë nga leucemia, sëmundje kockore etj. Një vit më parë gjashtë fëmijë me aftësi të kufizuara iu dhuruan karrige me rrota dhe tani ata e kanë me të lehtë të lëvizin.

Zamira tregon për një fëmijë në Maqellarë që vuan nga autizmi dhe nuk është pranuar as në shkollën e Maqellarës dhe as në një shkollë të posaçme në Durrës. Ndërsa në një familje tjetër, po në këtë fshat, janë katër fëmijë, tre prej të cilëve kanë probleme me të folurin dhe të dëgjuarin. Djali 9 vjeç që nuk flet dhe nuk dëgjon do ta përsërisë klasën e dytë, ndërsa i vëllai 10 vjeç ndjehet i dhunuar psikologjikisht dhe nuk është i afrueshëm me bashkëmoshatarët. Zamira tregon edhe për një djalë, i cili vuan nga astma dhe nuk e frekuenton shkollën për shkak të sëmundjes. Ai nuk merr as ilaçe me rimbursim dhe as përkrahje sociale.

Në Drejtorinë Arsimore të qarkut të Dibrës nuk mund të marrim statistika për fëmijët që nuk kanë mundësi të shkojnë në shkollë, as për analfabetët funksionalë që arrijnë të marrin një dëftesë të shkollës 9 vjeçare. Një punonjës i saj tha se në fund të vitit do të kishim statistika të sakta, pasi aktualisht janë shumë të ngarkuar me përgatitjet për mbylljen e vitit shkollor dhe maturës shtetërore.

Drejtori Arsimit i zonës nuk i’u përgjigj mesazheve dhe telefonatave për t’u intervistuar për këtë artikull

Shkolla 9-vjecare (1)

Emrahi para shkollës ku ka mësuar më parë.

Shifrat zyrtare për braktisjen e shkollës nuk reflektojnë realitetin

Të dhënat e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit tregojnë shifra të ulëta të braktisjes së shkollës, ndërsa është e vështirë të gjesh një statistikë të fëmijëve që nuk arrijnë të lexojnë.

Të dhënat e Ministrisë së Arsimit  për braktisjen e shkollës flasin kryesisht vetëm për fëmijët romë dhe egjiptianë. Këto statistika tregojnë se numri i fëmijëve nga ky komunitet janë zero në Dibër e Bulqizë, ndërsa statistikat kombëtare tregojnë se në shkallë vendi janë rreth 2916 fëmijë nga klasa e parë deri në të nëntën dhe mbi 60% e tyre janë të klasave nga e para në të pestë. Në tetor 2013, janë 3370 fëmijë nga klasa e parë deri në klasën e nëntë, ose 65 më pak se një vit shkollor më parë, viti shkollor 2011-2012. Në vitin shkollor 2013-2014 janë mbi 4200 fëmijë romë që ndjekin studimet në arsimin parauniversitar ose gati 150 më shumë se një vit më parë.

Ministrisë së Arsimit i pëlqen që statistikat t’i konvertojë në përqindje, pasi kjo tregon një shkallë të ulët të braktisjes, por kur këto statistika përkthehen në shifra, ato janë shqetësuese. Në fund të janarit 2011 braktisja e shkollës regjistrohej në 0,39%, ndërkohë që kjo shifër në janar 2010 ishte 0,48%, në dhjetor 2009 dhe qershor 2009 ishte përkatësisht 0,53% dhe 0,81%. E përkthyer në shifra, në janar 2011 ishin mbi 1600 nxënës që kanë braktisur shkollën, ndërkohë që kjo shifër në vitin 2009 ka qenë rreth 2300.

Ministria e Arsimit ka ngritur programin “Shansi i dytë” (Udhëzimi nr. 34, datë 8 dhjetor 2004), me anë të të cilit synon rifutjen në sistemin arsimor të fëmijëve që kanë braktisur shkollën apo janë të ngujuar”. Sipas këtij programi, vetëm në vitin 2010-2011 kanë funksionuar 31 klasa në gjithë Shqipërinë, ku kanë ndjekur studimet mbi 600 nxënës, mbi 66% e tyre i përkasin komunitetit rom dhe egjiptian. Ndërsa gjatë vitit 2013 kanë ndjekur shkollën, bazuar në këtë program, 917 fëmijë, ku rreth 300 prej tyre nuk i përkasin komunitetit rom dhe egjiptian. Por statistikat nuk tregojnë nëse pjesa tjetër e fëmijëve janë nga familjet e varfra apo nga familjet e izoluara nga gjakmarrja.

Ministria e Arsimit ka ngritur një rrjet kombëtar të monitorimit të braktisjes së shkollës dhe përveç mbledhjes së statistikave rrjeti përcakton edhe masat që duhen marrë për parandalimin dhe reduktimin e braktisjes së shkollës. Duke filluar nga viti 2011, fëmijët romë i marrin tekstet shkollore falas në arsimin e detyruar, por një gjë e tillë nuk ndodh me fëmijët e familjeve të varfra jo-rome.

Një udhëzim i MAS në tetor 2013 (nr.31, 02.08.2013) përcakton modalitetet se çfarë duhet bërë në rastet e braktisjes së shkollës te fëmijët e që të paktën nuk kanë ndjekur dy klasë të arsimit bazë. Vendimi flet për të drejtat e fëmijëve kur kanë mbushur tetë vjeç dhe nuk janë regjistruar në një klasë, nuk kanë vazhduar klasën e dytë ose kur janë përsëritës. Vendimi përcakton procedurat e regjistrimit, angazhimin e institucioneve dhe Drejtorive dhe Zyrave Arsimore Rajonale, dhe rolin e shkollës, mësuesit kujdestarë, etj. “Drejtoria e shkollës, në bashkëpunim me mësuesin kujdestar organizojnë hartimin e programeve individuale të mësimdhënies dhe të nxënit”, të udhëzimi.

Braktisjen e shkollës për shkak të gjakmarrjes Ministria e ka shumë të ulët. Organizatat joqeveritare flasin për rreth 600 fëmijë që nuk shkojnë dot në shkollë për shkak të gjakmarrjes, por statistikat e MAS tregojnë vetëm Shkodrën me 13 raste, nga të cilat 7 prej tyre janë vajza, si dhe dy raste në Malësinë e Madhe.

Në rregull me ligjet, por jo me realitetin

Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, Neni 57, pika 1, thuhet se “Kushdo ka të drejtën për arsimim”. Pika 2 thekson se “Arsimi shkollor i detyrueshëm caktohet me ligj”, ndërsa pika 5 thekson se “Arsimi i detyrueshëm, si dhe arsimi i mesëm i përgjithshëm në shkollat publike është falas”.

Gjithashtu, bazuar në Kushtetutë, funksionon edhe ligji nr. 7952 in vitit 1995 (përmirësuar me ligjin Nr. 8387 të vitit 1998), “Për Sistemin Arsimor Parauniversitar”, ku sanksionohen me ligj parimet dhe standardet e Marrëveshjeve Ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, veçanërisht të drejtat e fëmijëve në fushën e arsimit.

Neni 1 thekson se “Arsimi në Republikën e Shqipërisë është përparësi kombëtare. Ai realizohet në përputhje me parimet e sanksionuara në legjislacionin në fuqi, mbështetet në traditat e arritjet e shkollës sonë kombëtare dhe kryhet në përputhje me marrëveshjet dhe traktatet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë. Arsimi respekton të drejtat e fëmijëve dhe të të rriturve të sanksionuara në këto dokumente.

Ligji, përveç sanksionimit në nenet e tij të së drejtës për arsim parashkollor dhe të detyruar publik, detyrimin e prindërve për t’i dërguar fëmijët në shkollë, ndalimin e punës së fëmijëve, etj., sanksionon edhe “të drejtën e fëmijëve me nevoja të veçanta për arsimim special publik falas dhe detyrimin e shtetit për sigurimin gradual të kushteve të nevojshme për këtë qëllim (neni 40) dhe të drejtën e fëmijëve për raste të veçanta, për arsimim të detyruar pranë familjeve në rrugë private (neni 49).

Arsimimi konsiderohet sot si një ndër të drejtat e njeriut më të sanksionuara nga pikëpamja e legjislacionit ndërkombëtar. Konventa mbi të Drejtat e Fëmijëve, miratuar nga OKB në nëntor 1989, i detyrojnë shtetet anëtare për të respektuar standardet e arsimimit, si një ndër të drejtat themelore të fëmijëve. Kjo konventë ka nene të posaçme për fëmijët me nevoja të veçanta arsimore. Gjithashtu, nga viti 1948 deri në vitin 2006, janë miratuar mbi 10 konventa ndërkombëtare mbi të drejtat e fëmijëve, dhe Shqipëria i ka pranuar të gjitha. Ndërsa UNESCO në vitin 1994 ka miratuar Deklaratën “Salamanca”, ku në paragrafin e dytë të saj thuhet: “Çdo fëmijë ka të drejtë themelore për arsim dhe duhet t’i jepet mundësia për të arritur dhe për të ruajtur një nivel të pranueshëm të të mësuarit”.

Fëmijët kanë nevojë të ushqehen me arsim

Pavarësisht ligjit dhe rregulloreve për rastet e braktisjes së shkollës, veprimet publike kanë qenë drejtuar kryesisht ndaj komuniteteve rome dhe egjiptiane, si dhe ndaj fëmijëve të ngujuar për shkak të gjakmarrjes.

Por për rastet e braktisjes së shkollës për shkaqe ekonomike apo varfërisë flitet pak ose aspak.

Ndoshta edhe organizatat joqeveritare e kanë të vështirë të punojnë me këtë kontingjent fëmijësh, për shkak të shtrirjes së gjerë gjeografike. Megjithëse ligji për arsimin parauniversitar ka si qëllim garantimin e së drejtës kushtetuese për arsimimin për të gjithë, kjo nuk garantohet për të gjithë fëmijët në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Emrahi, Arifi, Kevin dhe Deni vazhdojnë ta kalojnë fëmijërinë jashtë dyerve të shkollës. Shpesh flenë të uritur nga mungesa e ushqimit, por gjithmonë janë të uritur nga mungesa e shkollimit.

Ministria e Arsimit ka eksperimentuar me një “shkollë me ushqim” në rrethin e Korçës, dhe një shkollë e tillë edhe në Dibër, pse jo në çdo qark, do t’i shpëtonte katër fëmijët dhe qindra të tjerë nga analfabetizmi. Dhe ndonjëri prej tyre nuk do të mbetej një statistikë, por do t’ia shpërblente vendit duke u bërë dikushi në jetë.

*Bujar Karoshi është një gazetar pjesëmarrës në trajnimin gazetaresk të Qendres për Eksekencë në Gazetari – Tiranë (TCJE.org), pjesë e Projektit për Raportimin e të Drejtave të Njeriut. Ky artikull është botuar si pjesë e këtij projekti. Për më shumë informacion: http://tcje.org/en/projects/raportimi-i-te-drejtave-te-njeriut/  

** Te gjitha fotot nga Bujar Karoshi

Posted in Kryesore, Të Drejtat e Njeriut, Veshtrim i Zgjeruar
Follow TCJE: Twitter Facebook

TCJE presentation

A different approach: Implementing a nonprofit media model, TCJE’s mission is to improve the quality of journalism in Albania, focusing on providing coverage that strengthens democracy, rule of law and human rights. More

Supporting quality coverage: Find out about our donors and partners and how you too can assist. More