Të shpronësuarit e komunizimit kërkojnë dëmshpërblim për t’i shpëtuar varfërisë

Ish-pronarët futen ndër shtresat më të varfra të Shkodrës. Megjithëse në vitet 1993-1996 atyre iu kthye sipas ligjit 1 hektar tokë, në të shumtën e rasteve nuk arritën t’i merrnin realisht për shkak të zënieve t paligjshme dhe mosfunksionimin siç duhet të mekanizmit të lirimit të pronës.

Nga VIRTYT OMARI*
Ndër më të dëmtuarat nga moskthimi e kompensimi i pronave është qyteti veri-perëndimor i Shkodrës, nisur nga fakti se kjo zonë ka pasur një numër të shumtë pronarësh të vjetër.

Ndër më të dëmtuarat nga moskthimi e kompensimi i pronave është qyteti veri-perëndimor i Shkodrës, nisur nga fakti se kjo zonë ka pasur një numër të shumtë pronarësh të vjetër. (Foto: TCJE.org)

Kthimi dhe kompensimi i pronave tek pronarët e vjetër në Shqipëri duket se ka shënuar dështime të përvitshme duke filluar që në vitet e para të pas 1990-s e deri në ditët e sotme. Të gjitha qeveritë e postdiktaturës premtonin se do të merreshin seriozisht me çështjen e pronës si një e drejtë e njeriut dhe kushtetuese, por faktet tregojnë se deri tani është bërë fare pak.

Ish pronarët thonë se për më tepër, nxjerrja e ligjeve dhe e vendimeve të qeverisë që binin në kundërshtim jo vetëm me të drejtën e pronarëve, por edhe ndërmjet tyre kanë bërë që jo vetëm prona të mos shkojë tek i zoti, por të ligjërohen grabitësit.

Sipas drejtuesve të shoqatës “Pronësi me drejtësi”, qyteti i Shkodres, në raport me numrin e popullsisë është qyteti me numrin me të madh të pronarëve të tokave. Rreth 85 përqind e shkodranëve para viteve 1944, pak para vendosjes së diktaturës, kanë qenë pronarë tokash pasi ishte një tendencë e kohës për të pasur në pronësi pasuri të paluajtshme mbi bazën e së cilës zhvillohej aktiviteti fitimprurës.

Por pas shpronësimit dhe shtetëzimit në komunizëm dhe rishpërndarjes në vitet e para të demokracisë, ish pronarët shkodranë jo vetëm që nuk kanë më trashëgiminë e pronës po futen ndër shtresat më të varfra të zonës.

“Prona e patundshme është e perjetshme dhe shpërblimi i saj nuk mund të jetë simbolik si në kohë të komunizmit”, shprehet në një intervistë Ahmet Osja, kryetar i shoqatës “Pronësi me drejtësi”.

Atyre në vitet 1993-96 iu kthyen sipas ligjit 10 dynym (1 hektar) toke, por edhe këto në të shumtën e rasteve nuk arritën t’i merrnin realisht për shkak të zënieve të paligjshme dhe mosfunksionimin siç duhet të mekanizmit të lirimit të pronës.

Ndërkohë, interesimi i tyre 20-vjeçar për njohjen e kthimin e pronave dhe tashmë edhe për kompensimin i ka varfëruar më tepër për shkak të kostove që ka nxjerrja e dokumentacioneve, pagesa e topografëve si dhe seancat e pafundme gjyqësore.

Për vite me radhë, kalvarit të vuajtjeve të diktaturës komuniste iu shtua edhe kalvari i ndjekjes së procesit të kthimit e kompensimit të pronave. Fillimisht u mendua se me ardhjen e demokracisë prona do shkonte tek i zoti, por përsëri shkodranët u ndjenë të shpërfillur njësoj si para 1990-tës.

Për pronarët shkodranë, dhe jo vetëm, tentativat e qeverive për kompensim të 200 metrave katrorë edhe ato me vlera jo reale, por edhe kompensimi me këste për pronat e zëna nga grabitësit që po legalizohen është një tallje që nuk do të përfundojë kurrë. Sipas tyre, këto veprime kryhen thjesht për t’i treguar vendeve të Bashkimit Evropian se po bëjnë ç’është e mundur për pronat në Shqipëri.

Kryetari i shoqatës së pronarëve të vjetër në Shkodër, “Pronësi me drejtësi”, Osja thotë se Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP) në Tiranë ka kthyer prona në mënyrë të paligjshme në zona turistike dhe ka kompensuar vetëm disa nga ato që kanë qenë në dosjet e dorëzuara nga institucioni i Bashkisë Shkodër.

“AKKP Tiranë ka sjellë një seri problematikash, si në hartimin e dokumentacionit nga pronarët, meqë nuk njeh tapinë e vjetër të shtetit shqiptar, duke  kërkuar dokumente kadastrale, hipotekore, plane të rilevimit, pa harruar zvarritjet e pajustifikueshme të nëpunësve të pandërgjegjëshëm”, thotë Osja.

Ai shpjegon se kostoja e nxjerrjes së këtyre dokumentacioneve është shumë e lartë për buxhetin e pronarëve të vjetër, të cilët u rrënuan ekonomikisht, jo vetëm gjatë periudhës së diktaturës, por edhe pas viteve ‘90, kur u mendua se u ndërrua sistemi.

“Përsa i takon pronarëve që kanë arritur të përfitojnë kthim, apo kompensim prone është meritë individuale e tyre dhe jo e shtetit ligjor.” thotë Osja. “Nëpërkëmbja e ligjit, dhunimi i tij dhe arbritariteti i pushtetit është tipari kryesor i sjelljes së qeverive të njëpasnjëshme me pronarët dhe pronën e ligjshme”, thotë Osja.

Problem për shkodranët ka mbetur jo vetëm mos zbatimi i ligjit të kompensimit monetar, por dhe i atij të kompensimit në natyrë.

Zona e Shkodrës ka pasur për kompensim të pronarëve të trojeve dhe tokave të zëna një sipërfaqe prej 40 hektarësh në bregdetin e plazhit të Velipojës. Kjo parashikonte te sillte zhvillim dhe investime të huaja ne fushën e turizmit në këtë zonë. Por, sipas Osjes, realisht politikanët dhe qeveritarët nuk lejuan që kjo të ndodhte sepse cënonte interesat e tyre.

“Pra, me veprimet dhe mosveprimet e tyre nuk lejuan tërheqjen e kapitalit ndërkombëtar, por lejuan që sipërfaqja në fjalë të grabitet e të copëtohet në qindra për të mos thënë mijëra parcela pa hequr një barrë të madhe kompensimi që ka shteti”, thotë ai.

Shoqata i kërkon qeverisë shqiptare të bëjë sipas ligjit korrigjimet përkatëse në ligjin e legalizimeve në mënyrë që pagesa e pronarëve të bëhet brenda tre muajve nga dita e botimit në fletoren zyrtare të vendime përkatëse të qeverisë.

Një tjetër kërkesë ështe edhe heqja dorë nga përdorimi i fondit të kompensimit të pronarëve për shpërblimin e shpronësimeve për efekt legalizimi.

Shoqata kërkon urgjentisht dhe sa nuk është vonë të rishikohen edhe një herë pagesat që do të bëjnë sipas ligjit ato që ajo i quan “pushtuesit e tokave” duke rishikuar çmimet dhe eliminuar përdorimin e letrave me vlerë.

“Shkelësit e ligjit dhe pushtuesit e tokave duhet të paguajnë me çmimet e  tregut dhe jo me shifrat qesharake që janë vendosur. Nuk ka pse të paguajë taksapaguesi shqiptar dhe shteti shqiptar e aq më pak pronarët shqiparë për pushtuesit e tokave.

Shoqata kërkon gjithashtu nga zyrat rajonale të regjistrimit të pronave të paluajtshme të sigurojnë hartat e viteve 1938, 1941, 1950 dhe  1962 si dhe thjeshtimin e dokumentacionit të kërkesave të pronarëve për pronat e tyre.

Ndërkohë, fatura financiare që shteti shqiptar detyrohet për kompensimin e pronave përmban shifra të papërballueshme që sa vijnë e shtohen për shkak të gjyqeve të fituara nga pronarët në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Rreth 8,000 të vrarë për çështje pronësie

Nga ana tjetër, moskthimi apo kompensimi i pronës ka bërë që në shumë raste të këtë konflikte jo thjesht verbale, por edhe me armë ndërmjet pronarëve të vjetër dhe grabitësve të tyre.

Gjatë 20 viteve të fundit të demokracisë shifrat flasin për mbi 8,000 të vrarë për çështje pronësie, kryesisht të shkaktuara nga përplasjet që solli ligji 7501 në vitin 1991 fill pas vendosjes së sistemit pluralist sipas parimit “Toka i përket atij që e punon”.

Ndër më të dëmtuarat nga moskthimi e kompensimi i pronave është qyteti veri-perëndimor i Shkodrës, nisur nga fakti se kjo zonë ka pasur një numër të shumtë pronarësh të vjetër.

Në një raport të drejtat mbi pronën e paluajtshme në Shqipëri, Banka Botërore e quan mbrojtjen e tyre si një sfidë të vazhdueshme.

“Përkundër disa përpjekjeve për të bërë reformë, të drejtat mbi pronën në Shqipëri nuk janë mjaftueshmërisht të sigurta dhe përbëjnë një sfidë të rëndësishme ndaj qeverisjes”, thotë raporti.

Problemet kanë dalë nga regjistrimi fillestar i paplotë i titujve, mungesa e kartelave të  sakta kadastrore dhe, në shumë raste, mungesa e informacionit provues të besueshëm për pronësinë. Megjithëse Shqipëria ka miratuar një legjislacion i cili kërkon kthimin ose kompensimin e ish-pronarëve pronat e të cilëve janë shpronësuar në regjimin komunist, zbatimi i tij mbetet jo i plotë, shton raporti.

Zënia informale e tokës dhe ndërtimet e paligjishme duket se e kanë zanafillën në migrimin e vrullshëm të brendshëm gjatë viteve 1990 kur një e treta e popullsisë së disa qarqeve  rurale, kryesisht veriore dhe malore, migruar në zona urbane dhe bregdetare, në kërkim të mundësive më të mira për të fituar të ardhura, përkundër mungesës së një infrastrukture të përshtatshme strehimi apo të ofrimit të shërbimeve të publike.

Rrenja e problemit: Ligji i vitit 1991

Shumë i përfoluri Ligji nr. 7501 për tokën, i cili është miratuar në vitin 1991 përpara se të dilte korniza ligjore për kthimin e pronave ka patur një ndikim të madh. Ky ligj lejonte privatizimin e pasurive të paluajtshme tek persona që nuk janë ish-pronarë të periudhës përpara vitit 1944 duke ndarë tokat bujqësore personave që i punonin.

“Autoritetet shtetërore nuk kanë arritur kryesisht ta pengojnë zënien e paligjshme të tokës dhe ndërtimet e paligjshme, dhe, vlerësohet se, deri në një e treta e të gjitha ndërtesave në Shqipëri janë të paligjshme për shkak të mungesës së një titulli të qartë dhe/ose një lejeje të rregullt ndërtimi të personave që i kanë në shfrytëzim ato”, thotë raporti i Bankës Botërore.

Vlerësohet se në gjithë vendin janë ngritur pa leje pas fillimit të viteve 1990 rreth 350,000 deri në 400,000 ndërtesa të cilat përbëjnë një të tretën e inventarit strehues gjithsej dhe kanë kushtuar afro 10 miliard euro për t’u ndërtuar.

*Vyrtyt Omari është gazetar pjesëmarrës në projektin e Qendrës për Eksekencë në Gazetari – Tiranë (TCJE.org) Raportimi i të Drejtave të Njeriut. Ky artikull është botuar si pjesë e këtij projekti trajnues dhe raportues. Për më shumë informacion: http://tcje.org/en/projects/raportimi-i-te-drejtave-te-njeriut/ 

Posted in Kryesore, Të Drejtat e Njeriut, Veshtrim i Zgjeruar
Follow TCJE: Twitter Facebook

TCJE presentation

A different approach: Implementing a nonprofit media model, TCJE’s mission is to improve the quality of journalism in Albania, focusing on providing coverage that strengthens democracy, rule of law and human rights. More

Supporting quality coverage: Find out about our donors and partners and how you too can assist. More