Rrugët vdekjeprurëse të Shqipërisë

Me synimin për të ulur numrin në rritje të viktimave, qeveria shqiptare ka propozuar një sërë masash për të forcuar zbatimin e ligjit

Rrjeti i dobët infrastrukturor i rrugëve, moszbatimi i ligjeve, shoferët e padisiplinuar dhe mungesa e njohurive të duhura mbi sigurinë në rrugë i ka bërë rrugët e Shqipërisë më vdekjeprurëset në botë.

Rrjeti i dobët infrastrukturor i rrugëve, moszbatimi i ligjeve, shoferët e padisiplinuar dhe mungesa e njohurive të duhura mbi sigurinë në rrugë i ka bërë rrugët e Shqipërisë më vdekjeprurëset në botë.

Numri i viktimave në një ditë të vetme në fillim të këtij viti ishte tronditës për personat e familjarizuar me rrugët vdekjeprurëse të Shqipërisë. Pati njëmbëdhjetë të vdekur dhe disa të plagosur në dy aksidente të veçanta në skajet veriore dhe jugore të vendit.

Fillimisht, një furgon pasagjerësh që transportonte 11 persona në qarkun verilindor të Kukësit humbi kontrollin dhe u rrëzua në një shkëmb, duke shkaktuar vdekjen e gjashtë personave dhe plagosjen e rëndë të pesë të tjerëve në 1 shkurt, 2014. Më vonë po atë ditë, dy autovetura u përplasën kokë më kokë në një urë në rrethin e Sarandës. Tre persona gjetën vdekjen e menjëhershme dhe dy të tjerë humbën jetën në spital.

Automjeti i cili ra në shkëmb ishte një furgon, një miniautobus i përdorur gjerësisht në Shqipëri për transportimin e njerëzve. Shoferi ishte rreth njëzet vjeç dhe nuk zotëronte leje për drejtim automjeti, bëri të ditur policia.

Aksidenti ndodhi pasdite në Sarandë, rreth 280 km në jug të Tiranës, pranë kufirit me Greqinë. Dy automjete në pronësi private u përplasën kokë më kokë, duke shkaktuar vdekjen e të gjithë pasagjerëve në automjete. Policia tha se dyshonte që një prej shoferëve ishte i pirë dhe po udhëtonte në korsinë e gabuar.

Fatkeqësisht, këto lloje aksidentesh nuk janë të vetmet. Rrjeti i dobët infrastrukturor i rrugëve, moszbatimi i ligjeve, shoferët e padisiplinuar dhe mungesa e njohurive të duhura mbi sigurinë në rrugë i ka bërë rrugët e Shqipërisë më vdekjeprurëset në botë.

Nën trysni prej numrit në rritje të viktimave dhe aksidenteve të rënda si këto, autoritetet janë nxitur të veprojnë me një sërë masash për të forcuar zbatimin e ligjit, duke përfshirë ndalimin me ligj të transportit masiv me furgonë, i cili shërben si alternativë për transportin ndërurban.

Zyrtarët ndryshojnë rregulloret për të rritur ndëshkimet

Ministri i Transportit, Edmond Haxhinasto dhe Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri kanë paraqitur një paketë amendamentesh ligjore dhe reformash që synojnë përmirësimin e sigurisë ligjore në vend.

Paketa e re përmban 60 masa si pjesë e reformave operacionale dhe institucionale. Përveç ndalimit të furgonëve, do të ketë investime në sigurinë rrugore si mbyllja e hyrjeve të paligjshme dhe shtimi dhe përmirësimi i sinjalistikës. Pikat e karburanteve gjithashtu do të kufizohen për të shmangur hyrje-daljet e panevojshme në rrugët kombëtare.

“Qëllimi i kësaj pakete është të rrisë sigurinë rrugore dhe të ndërmarrë të gjitha masat për t’ia arritur kësaj”, tha ministri Haxhinasto në një konferencë për shtyp. “Paketa do të trajtojë vetë rrugët, automjetet dhe shoferët, do të trajtojë zbatimin e ligjit dhe trajnimin për ndërhyrje në raste aksidentesh dhe emergjencash; do të trajtojë gjithashtu ndërgjegjësimin e publikut, për shkak se, në radhë të parë, mendojmë se ndërgjegjësimi i publikut është pjesë e rëndësishme e trajtimit të këtij problemi”.

Ndryshime të tjera përfshijnë ndëshkimin me ligj të hyrjeve të paautorizuara në infrastrukturën rrugore. Do të ketë ndëshkime më të rënda, përfshirë burgosjen e atyre që drejtojnë automjetin nën efektin e alkoolit dhe pa patentë të vlefshme.

Zyrtarët thonë se kontrollet vjetore të automjeteve, të cilat përcaktojnë nëse një automjet është i sigurt për t’u ngarë, do të reformohen për të shmangur korrupsionin dhe përmirësuar sigurinë. Policia gjithashtu do të bashkëpunojë ngushtë me shërbimin postar dhe bankat për vjeljen e gjobave. Afatet kohore për qarkullimin e automjeteve me targa të huaja do të zbatohen me rreptësi, thanë ministrat.

“Sapo i kam dorëzuar Ministrisë së Drejtësisë një propozim për ndryshimin e Nenit 291 të Kodit Penal, i cili përcakton një dënim minimal prej 10 ditësh burg si masë për shoferët pa patentë dhe ata të intoksikuar. Drejtimi i automjetit nën efektin e alkoolit dhe pa patentë nuk është shkelje e rregullores së qarkullimit, por kundërvajtje penale”, tha Tahiri në konferencën e përbashkët për shtyp.

Shqipëria ka pasur një numër të lartë të aksidenteve rrugore, kryesisht për shkak të infrastrukturës së dobët rrugore dhe moszbatimit të rregullave të qarkullimit nga shoferët dhe këmbësorët.

Shifrat janë tronditëse, duke pasur parasysh popullsinë rezidente prej vetëm 2.8 milionë banorësh që ka Shqipëria. Vetëm në vitin 2013, pati pothuaj 300 të vdekur në aksidente rrugore. Nga viti 2000 deri në 2013-n, përllogariten të kenë vdekur rreth 4,350 persona në aksidente rrugore. Vetëm në janar të këtij viti, numri i viktimave arriti në 24 duke përshirë 11 gjatë fundjavës.

Ndalimi i furgonëve ngjall debat

Zyrtarët thonë se ndalimi i furgonëve të pasagjerëve nga qarkullimi në linjat interurbane do të ketë ndikimin më të madh në transportin shqiptar. Shumë prej këtyre automjeteve nuk janë të licensuar, por edhe të licensuarit që kanë targa të verdha taksie nuk janë lejuar asnjëherë drejtpërdrejt të kryejnë shërbime si alternativë ndaj autobusëve, gjë të cilën tashmë e kryejnë rregullisht

Përveç kësaj, kritikët thonë se shumica e shoferëve të furgonëve drejtojnë në mënyrë të rrezikshme si për pasagjerët dhe automjetet e tjera në rrugë, duke hyrë dhe dalë nga qarkullimi rrugor me shpejtësi të lartë për të marrë apo zbritur pasagjerët në autostradë.

“Do të ndërmarrim masa të menjëhershme për të zbatuar rregullat e transportit ndërurban për të eliminuar njëherë e përgjithmonë transportin me furgona, i cili në vlerësimin tonë përbën një burim aksidentesh shpesh fatale për qytetarët”, tha Tahiri.

Qeveria synon të heqë të gjithë furgonët e palicensuar nga qarkullimi dhe të lejojë të licensuarit të qarkullojnë vetëm në zona ku nuk ka linja autobusësh.

Megjithatë, ky hap ka ngjallur protesta nga ana e shoferëve të furgonave të cilët thonë se mënyra e tyre e jetesës është shkatërruar me një të rënë të lapsit. Protestat e tyre janë përshkallëzuar, duke përfshirë bllokimin e disa autostradave in Shqipëri.

Pasagjerët gjithashtu ankohen se kanë mbetur në rrugë nga ndalimi i furgonëve për shkak të orareve të kufizuara dhe biletave më të shtrenjta të autobusëve ndërurbanë.

Forca kryesore opozitare, Partia Demokratike gjithashtu ka shprehur shqetësim rreth këtyre masave, duke thënë se ky vendim i qeverisë do të lërë të papunë mijëra shqiptarë që sigurojnë jetesën përmes furgonëve. Por, Socialistët në pushtet thonë se duan të reformojnë shërbimin e transportit në vend, duke i dhënë përparësi sigurisë.

25 shkurt 2014

Posted in Kryesore, Të Drejtat e Njeriut, Veshtrim i Zgjeruar
Follow TCJE: Twitter Facebook

TCJE presentation

A different approach: Implementing a nonprofit media model, TCJE’s mission is to improve the quality of journalism in Albania, focusing on providing coverage that strengthens democracy, rule of law and human rights. More

Supporting quality coverage: Find out about our donors and partners and how you too can assist. More