Socialistët tërheqin kërkesën për rimbajtjen e zgjedhjeve në qarkun veriperendimor

Partia Socialiste ka tërhequr një kërkesë të bërë para pak ditësh për anullimin e rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit në qarkun e Lezhës dhe rimbajtjen e tyre.

Rreth 81,000 njerëz kanë votuar në Qarkun e Lezhës.

Rreth 81,000 njerëz kanë votuar në Qarkun e Lezhës.

Damian Gjiknuri, këshilltari ligjor kryesor i socialistëve mbi çështjet zgjedhore, u shpreh se partia e kishte tërhequr apelimin e bërë pranë Kolegjit Zgjedhor, një trup gjyqësor që thotë fjalën e fundit mbi çështjet zgjedhore, në mënyrë që të mos vonohen dalja e rezultateve përfundimtare në rang kombëtar dhe certifikimi i zgjedhjeve. Nëse kërkesa do të ishte miratuar, rimbajtja e zgjedhjeve do t’i kishte vonuar rezultatet përfundimtare me javë të tëra.

Gjiknuri shtoi se socialistët vazhdojnë të jenë akoma të bindur se kanë prova të mjaftueshme që vërtetojnë se zgjedhjet në Lezhe kanë dështuar të nxjerrin rezultatet që pasqyrojnë vullnetin e votuesve në këtë qark. Ai tha se ka pasur manipulime zgjedhore në qytetet e Mamurrasit dhe Laçit dhe se socialistët do të vazhdojnë të kërkojnë ndjekjen penale të atyre që janë përgjegjës.

Socialistët pretendojnë se koalicioni i tyre do të kishte fituar të paktën 84 deputetë në rang vendi nëse zgjedhjet do të ribëheshin. Sipas rezultateve aktuale, koalicioni i majtë ka 83 deputetë, një më pak se tre të pestat e shumicës së cilësuar që nevojitet për një sërë reformash të rëndësishme.

Pasi socialistët e tërhoqën apelimin e tyre, Oerd Bylykbashi, një zyrtar i Partisë Demokratike, u shpreh se socialistët duhet t’u kërkojnë ndjesë votuesve në Qarkun e Lezhës.

Socialistët dhe aleatët e tyre korrën një fitore të thellë në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Por nëse vetë zgjedhjet u mbajtën brenda standardeve – ku i munduri pranoi me hijeshi humbjen dhe fitimtari festoi me përulësi fitoren – kontestimet, rinumërimet dhe apelimet në tre qarqet veriore e kanë vonuar së tepërmi procesin e nxjerres së rezultateve zyrtare të zgjedhjeve. Tashmë kur ka kaluar më shumë se një muaj nga mbajtja e zgjedhjeve, ankimimet dhe apelimet vazhdojnë, duke vonuar më tej certifikimin e këtyre zgjedhjeve.

Lezha është nga më të voglat mes 12 qarqeve në vend për sa i përket popullsisë dhe përfaqësimit në parlament, duke pasur vetëm shtatë deputetë nga 140 në rang vendi. Sipas rezultatit aktual, Partia Demokratike ka fituar katër mandate; socialistët kanë tre të tilla.

Tagged with:
Posted in Kryesore, Zgjedhje 2013
Follow TCJE: Twitter Facebook

TCJE presentation

A different approach: Implementing a nonprofit media model, TCJE’s mission is to improve the quality of journalism in Albania, focusing on providing coverage that strengthens democracy, rule of law and human rights. More

Supporting quality coverage: Find out about our donors and partners and how you too can assist. More