Urdhërohet rinumërimi në dy qarqe veriperëndimore

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë ka vendosur për rinumërimin e të gjitha votave në dy nga 12 qarqet zgjedhore të Shqipërisë. Vendimi u mor pas rinumërimit të 10 kutive të votimit, i cili nxorri në pah mospërputhje mes rezultateve të mëparshme dhe atyre të rinumërimit. 

Rinumërimi pritet të vonojë më tej rezultatet zyrtare, kur tashmë po bëhet një muaj që nga dita e zgjedhjeve në 23 qershor 2013.

Rinumërimi pritet të vonojë më tej rezultatet zyrtare, kur tashmë po bëhet një muaj që nga dita e zgjedhjeve në 23 qershor 2013.

Vendimi nënkupton rinumërimin e më shumë se 200,000 votave në qarqet veriperëndimore të Lezhës dhe Shkodrës, si dhe vonesa të mëtejshme në publikimin e rezultateve përfundimtare, kur tashmë ka kaluar pothuajse një muaj nga dita e zgjedhjeve.

Vendimi gjithashtu shënon një përshkallëzim të problemeve në administrimin e paszgjedhjeve, në një proces që derimëtani ka qenë i ngadaltë, por i qetë.

Vendimi mbi Shkodrën pasoi atë mbi Lezhën, ku u vunë re mospërputhje në rinumërimin e vogël që u krye ditën e enjte. Mospërputhjet në fjalë shkonin kundër koalicionit të socialistëve, i cili ka korrur një fitore të thellë në zgjedhjet e 23 qershorit. Në dhjetë kutitë e rinumëruara, koalicioni i Partisë Demokratike e thelloi avantazhin nga 39 në 306 vota mbi të majtët.

“Kërkesa ime ka për qëllim të ofrojë transparencë të plotë mbi situatën,” tha Klement Zguri, anëtari i KQZ-së i propozuar nga Partia Demokratike, e cila propozoi rinumërimin dhe i quajti mospërputhjet si “dramatike”.

Genci Gjoncaj, përfaqësuesi ligjor i socialistëve në KQZ, reagoi ashpër ndaj vendimit të KQZ-së për një rinumërim të plotë në Qarkun e Lezhës. Ai shtoi se KQZ, e cila mbizotërohet nga anëtarë të propozuar nga qendra e djathtë e kryesuar nga Partia Demokratike, po përpiqet të vonojë dhe të ndryshojë rezultatet zyrtare në mënyrë që të zvogëlojë shumicën e koalicionit fitimtar.

“Ne jemi seriozisht të shqetësuar se kjo procedurë e vonimit të procesit ka për synim ndryshimin e rezultatit të votave dhe vullnetit të shqiptarëve,” tha ai për gazetarët në ambientet e KQZ-së, duke cituar zgjedhjet vendore 2011 në Tiranë, kur kryebashkiaku i ri u zgjodh vetëm pas një rinumërimi të votave. Socialistët pretenduan në atë kohë se rinumërimi u manipulua për të ndryshuar votën e vërtetë.

Gjoncaj u shpreh se partia e tij do ta apelojë vendimin pranë Kolegjit Zgjedhor, një trup gjyqësor me autoritetin final mbi zgjedhjet. Ai shtoi gjithashtu se anëtarët e KQZ-së duhet të marrin në konsideratë faktin se do të mbahen përgjegjës përpara ligjit në lidhje me vendimin në fjalë, të cilin e quajti një “çmenduri”.

Vendimi erdhi pasi më parë KQZ kishte vendosur në favor të ankimimit të bërë nga Partia Demokratike, sipas të cilit rezultatet paraprake në Lezhë ishin të gabuara dhe një mandat, që më parë u ishte dhënë socialistëve, do tu kalonte demokratëve. Ky vendim e çoi shpërndarjen e vendeve në parlament në 83-57 në favor të koalicionit të udhëhequr nga socialistët. Me shtatë përfaqësues në parlament, Qarku i Lezhës është i katërti qark zgjedhor më i vogël në vend.

Ndryshimet nga rezultatet paraprake janë të rëndësishme sepse nënkuptojnë që qeveria e re nuk do të ketë 84 vendet që formojnë shumicën e cilësuar prej tre të pestash në parlament, e nevojshme për një sërë reformash kyçe.

Gjasat janë që të gjitha këto vendime do të përfundojnë në Kolegjin Zgjedhor, një trup gjyqësor i përbërë nga tetë gjykatës të Gjykatës së Apelit, i cili në shumë aspekte ka marrë përsipër përgjegjësitë e KQZ-së, për shkak të paaftësisë së komisionit për të miratuar vendime që kërkojnë një shumicë të cilësuar prej pesë votash. Kolegji Zgjedhor pritet gjithashtu të certifikojë zyrtarisht zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit në Shqipëri.

Në një vendim që e futi KQZ-në në ngërç funksional, një anëtar i KQZ-së, i propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim, u zëvendësua në Prill me një kandidat të pozitës si pasojë e largimit të LSI-së nga koalicioni qeveritar. Tre anëtarët e tjerë të propozuar nga opozita dhanë dorëheqjen në shenjë proteste, duke e lënë KQZ-në me vetëm katër anëtarë, të paaftë për të miratuar vendime që kërkojnë shumicën e cilësuar prej pesë votash, përfshi certifikimin e zgjedhjeve.

Tagged with: ,
Posted in Kryesore, Zgjedhje 2013
Follow TCJE: Twitter Facebook

TCJE presentation

A different approach: Implementing a nonprofit media model, TCJE’s mission is to improve the quality of journalism in Albania, focusing on providing coverage that strengthens democracy, rule of law and human rights. More

Supporting quality coverage: Find out about our donors and partners and how you too can assist. More