ZGJERUAR: Partitë përfundojnë një fushatë zgjedhore të dominuar nga çështjet ekonomike

Mitingjet në tre qytete shënojnë fundin e fushatës zgjedhore në Shqipëri. Demokratët në pushtet e mbështetën fushatën në arritjet e tyre gjatë tetë viteve të fundit, ndërkohë që opozita e drejtuar nga socialistët ka premtuar të luftojë korrupsionin dhe të rikthejë sistemin e taksimit progresiv.

Mitingjet të premten shënojnë fundin e një fushate të gjatë anembanë vendit.

Mitingjet të premten shënojnë fundin e një fushate të gjatë anembanë vendit.

Pas tridhjetë ditëve fushatë, dy forcat më të mëdha politike që do të garojnë në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit – Partia Demokratike e Kryeministrit Sali Berisha dhe Partia Socialiste e Edi Ramës, ish-kryetarit të bashkisë së Tiranës, në krye të opozitës – do të mbajnë mitingjet e tyre të mbylljes mbrëmjen e të premtes, në prag të zgjedhjeve të së dielës, të cilat vlerësohen si një test kyç për demokracinë në Shqipëri dhe integrimin e vendit në BE.

Demokratët priten të mbajnë një miting masiv dhe një koncert në Sheshin Nënë Tereza në Tiranë. Kryeministri konservativ Sali Berisha, 68 vjeç, i cili udhëheq Koalicionin e Aleancës për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim të qendrës së djathtë, po kërkon mandatin e tretë radhazi, duke premtuar hapjen e 250,000 vendeve të reja të punës në katër vitet e ardhshme, si dhe vazhdimësinë e aplikimit të taksës së sheshtë prej 10 përqind mbi të ardhurat personale dhe taksat e korporatave.

Partia Socialiste në opozitë e mbajti mitingun e saj të fundit në Tiranë mbrëmjen e të enjtes dhe pritet t’i japë fund fushatës së saj kombëtare ditën e premte me dy mitingje paralele në Vlorë dhe Shkodër, përkatësisht dy qytetet më të mëdha në jug dhe në veri të vendit.

Lideri i opozitës Edi Rama, 48 vjeç, do të kryesojë mitingun në qytetin bregdetar të Vlorës, ku dhe kryeson listën e kandidatëve të socialistëve. Ai drejton Koalicionin e Aleancës për Shqipërinë Evropiane të qendrës së majtë. PS ka premtuar hapjen e 300,000 vendeve të reja të punës, aplikimin e taksimit progresiv dhe heqjen e TVSH-së për një sërë produktesh elementare.

E shtuna është caktuar si ditë reflektimi dhe nuk lejohet asnjë aktivitet fushate. Rreth 3.3 milionë shqiptarë janë të regjistruar për të votuar ditën e dielë, një votë e rëndësishme që po monitorohet nga afër nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe OSBE/ODIHR. 140 deputët do të zgjidhen nëpërmjet një sistemi proporcional rajonal me lista të mbyllura kandidatësh.

Atmosfera e fushatës ka qenë e qetë në përgjithësi dhe paqësore, ka deklaruar OSBE/ODIHR në raportin e saj paraprak në 7 qershor.

Përbërja dhe funksionimi i mangët i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili që nga prilli 2013 ka vepruar me vetëm katër anëtarët e propozuar nga shumica, ka qenë dhe shqetesimi kryesor për komunitetin ndërkombëtar gjatë fushatës zgjedhore. Pavarësisht thirrjeve të përsëritura, partitë kanë dështuar të arrijnë një marrëveshje për të mbushur vendet e ngelura bosh në KQZ, i cili duhet të ketë shtatë anëtarë.

Kolegji Zgjedhor, një trup gjyqësor i përbërë nga tetë gjyqtarë të Gjykatës së Apelit, tashmë ka marrë përsipër përgjegjësitë e KQZ-së për shkak të paaftësisë së kesaj të fundit për të marrë vendime që kërkojnë një shumicë të cilësuar prej pesë votash. Mungesa e marrëveshjes për të plotësuar anëtarët e KQZ-së do të thotë se Kolegjit Zgjedhor do t’i duhet gjithashtu të certifikoje rezultatin e zgjedhjeve, edhe pse ka dyshime mbi ligjshmërinë e një certifikimi të tillë.

Çështjet ekonomike mbizotërojnë fushatën

Gjendja e ekonomisë ka qenë dhe shtysa kryesore në fushatën zgjedhore në Shqipëri, ku partitë janë angazhuar me premtime të shumta përballë votuesve.

Kryeministri aktual Sali Berisha zotohet të vazhdojë përpara me investime në infrastrukturë, bujqësi dhe industri.

Kryeministri aktual Sali Berisha zotohet të vazhdojë përpara me investime në infrastrukturë, bujqësi dhe industri.

Demokratët në pushtet janë zotuar ta çojnë vendin përpara me investime të tjera në infrastrukturë, bujqësi, industri e kështu me rradhë.

Kryeministri Sali Berisha po mbështetet gjithashtu tek projekti TAP i tubacionit të gazit, i cili mund të sjellë 2 miliardë dollarë amerikanë në investime dhe hapjen e dhjetra mijëra vendeve të reja të punës. Vendimi final mbi TAP-in, i cili po përballet me një rival serioz, do të merret pas zgjedhjeve.

Demokratët e kanë ndërtuar fushatën e tyre mbi arritjet e tetë viteve të fundit që kanë qenë në pushtet. Ata po deklarojnë se tashmë kanë ndërtuar apo rindërtuar rreth dhjetë  mijë kilometra rrugë në të gjithë vendin. Ata kanë folur për miliona dollarë në mbështetje të fermerëve. Ata kanë deklaruar se kanë ndërtuar me mijëra shkolla, spitale dhe qendra shëndetësore.

“Po ju ftoj të votoni në zgjedhjet e 23 qershorit që të bashkoheni me ne për një mbështetje më të madhe për bujqësinë, infrastrukturën e re dhe për rroga dhe pensione më të mira,” u shpreh Berisha gjatë një aktiviteti fushate.

Demokratët thonë se çelësi i suksesit të tyre ka qenë zbatimi i taksës së sheshtë

“Ne kemi zbatuar taksën e sheshtë, e cila është taksa më e ndershme që ky vend ka parë ndonjëherë. Me këtë taksë, të gjithë paguajnë 10 përqind të asaj çka fitojnë,” tha Berisha në një tjetër event.

Berisha thotë se qeveria e tij do të ngrejë rrogën minimale të paktën deri në 350 dollarë dhe atë mesatare në 700 dollarë.

Premtimet synojnë të rrisin mbështetjen për koalicionin e qendrës së djathtë të kryeministrit, i cili, sipas anketave, ndodhet pas socialistëve me disa pikë të mira përqindje.

Socialistët zotohen të luftojnë korrupsionin dhe të zbatojnë reformat

Opozita nga ana tjetër, thotë se kërkon të luftojë korrupsionin. Socialistët, të udhëhequr nga Edi Rama, i kanë përqendruar sulmet e tyre mbi Berishën dhe pjesëtarët e familjes së tij, duke u thënë shqiptarëve se këta kanë përfituar në mënyrë të pandershme nga pushteti politik, duke u bërë multi-milionerë. Socialistët gjithashtu kanë sulmuar ministrat e tjerë të kabinetit për të treguar se si korrupsioni mbizotëron politikën e sotme.

Edi Rama, lideri i opozitës, ka kryer një tur fushate anembanë Shqipërisë duke udhëtuar me autobuz. Socialistët zotohen të luftojnë korrupsionin, të forcojnë shtetin dhe të rikthejnë taksimin progresiv.

Edi Rama, lideri i opozitës, ka kryer një tur fushate anembanë Shqipërisë duke udhëtuar me autobuz. Socialistët zotohen të luftojnë korrupsionin, të forcojnë shtetin dhe të rikthejnë taksimin progresiv.

Propozimi kryesor i fushatës së socialisteve është rikthimi i taksës progresive mbi të ardhurat personale. Ata pretendojnë se 95 përqind e popullatës do të përfitojë nga kjo politikë fiskale.

“Kushdo që jeton me rrogë nuk duhet të mendojë për lidhjet partiake, por duhet të votojë Partinë Socialiste që të hiqet taksa e sheshtë,” u shpreh Rama ditët e fundit në fushatë. “Ata që fitojnë më pak, do paguajnë më pak taksa.”

Dhe zotimet vazhdojnë për të rikthyer prodhimin në ekonomi, ndërkohë që sot mbështetet në shërbime dhe në importin e të mirave materiale.

Socialistët thonë se sistemi shëndetësor duhet të përmirësohet dhe duhet të jetë i lirë për të gjithe. Ata thonë se sistemi i arsimit do të reformohet për të arritur standardet ndërkombëtare dhe jo thjesht të shërbejë si fabrikë diplomash.

Socialistët pretendojnë gjithashtu se brenda 300 ditëve do ta bëjnë vendin më të sigurtë, duke vënë në dukje rritjen e konsiderueshme në krime gjatë dy viteve të fundit. Ata e akuzojnë qeverinë se nuk po ben mjaftueshëm për të luftuar krimin dhe thonë se disa zyrtarë kanë lidhje me krimin e organizuar.

“Sot krimi ka dalë jashtë kontrollit,” tha Rama gjatë një eventi. “Duke votuar për ne në 23 qershor, shqiptarët e thjeshtë do të rindërtojnë policine shtetërore dhe do ta kthejnë atë në shërbim të qytetarëve, për të mbrojtur jetën dhe pronën e tyre.”

Analistët e pavarur vënë në dukje se, pavarësisht se krimi ka pësuar rritje kohët e fundit, Shqipëria ngelet një nga vendet më të sigurta në Evropë, ku statistikat e krimit për qytete si Tirana janë shumë herë më të ulëta se në qendrat e mëdha evropiane.

Legalizimi i pronave, përfshi ndërtimet e paligjshme, kanë qenë një tjetër element kyç i të dyjave grupimeve politike kryesore gjatë fushatës zgjedhore.

Partitë mundohen të joshin shqiptarët që jetojnë jashtë

Dy grupimet politike gjithashtu kanë treguar një vëmendje të konsiderueshme ndaj emigrantëve: më shumë se një milionë votues shqiptarë jetojnë në vendet fqinje të Italisë dhe Greqisë. Këta votues emigrantë kanë qenë një objektiv serioz për partitë politike. Ka pasur raportime se demokratët po ofrojnë bileta avioni për mijëra votues, ndërkohë që socialistët në opozitë po organizojnë autobuzat për emigrantët në Greqi.

Ekziston akoma frika për mundësinë e manipulimeve në sistemin e votimit, duke filluar nga listat e votuesve. Rreth 300,000 votues të regjistruar janë pa adresë fikse dhe kjo do të thotë se, ashtu si në zgjedhjet e mëparshme, disa prej tyre mund të votojnë në më shumë se një qendër votimi.

Partitë e vogla mund të jenë vendimtare

Roli i partive të vogla politike, si Lëvizja Socialiste për Integrim në kahun e majtë dhe Partia e Frymës së Re Demokratike në kahun e djathtë, mund të jetë vendimtar, vënë në dukje analistët. Sipas anketave, dy partitë e mëdha politike mund të mos jenë në gjendje të formojnë një qeveri më vete.

“Ne jemi një forcë politike që dëshiron që vendimmarrja të ndodhë në parlament, që të kemi një shtet të vërtetë për të përfaqësuar qytetarët e tij dhe jo vetëm vullnetin e liderëve të partive,” tha ish presidenti i Shqipërisë Bamir Topi, kryetari i FRD-së, gjatë një eventi fushate, duke patur si objektiv Berishën dhe Ramën.

Edhe nëse socialistët ose demokratët arrijnë të fitojnë të paktën 71 mandate, nga 140 që ka parlamenti, të nevojshme për të formuar qeverinë, ata do ta kenë gjithsesi nevojën e partive të vogla që kanë në koalicion për të siguruar votat e nevojshme për një sërë reformash dhe ligjesh të rëndësishme, sidomos për reformat dhe kriteret që vendi duhet të përmbushë në rrugën drej integrimit në BE.

Problemet ekonomike janë prioritet për votuesit

Ekonomia shqiptare ka pësuar një ngadalësim të konsiderueshëm për sa i përket rritjes ekonomike gjatë muajve të fundit. Edhe pse nuk mund të bëhet akoma fjalë për recension, fakti që virtualisht rritja është zero, atëherë rezulti eshte pothuajse i njëjtë.

Si Banka Botërore, ashtu dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim kanë treguar këtë javë se vendi pritet të pësojë një rritje me vetëm 1.8 ose 1.6 përqind këtë vit. Ekspertët thonë se kur shifra e rritjes është më pak se 2 përqind, kjo nënkupton fare mirë një recension për ekonominë e vogël të vendit, e cila duhet t’i rikthehet rritjes vjetore mesatare prej 6 përqind, që ka shijuar disa vite më parë, për të gëzuar një ndryshim domethënës.

Krizat ekonomike në Greqi dhe Itali, ku jetojnë shumica dërrmuese e punëtorëve emigrantë, ka pasur ndikimin e saj negativ në Shqipëri. Shifrat e remitancave nga emigrantët kanë pësuar një rënie serioze.

Këto dy vende janë gjithashtu dy partnerët tregtarë kryesorë të vendit.

Për më tepër, qeveria e ka kaluar kufirin prej 60 përqind të deficitit buxhetor. Sipas të dhënave më të fundit, deficiti ka arritur në 62.8 përind, por burime të tjera pretendojnë se shifra reale është 66 përqind. Nëse kjo e fundit është e vërtetë, atëherë ky do të ishte deficiti më i lartë në rajon.

Ndërkohë qeveria rriti përsëri rrogat publike dhe pensionet deri në 6 përqind. Ajo gjithashtu reduktoi taksimin për shumë produkte dhe zona ekonomike, gjë që mund të rrisë më tej deficitin.

Opozita pretendon se qeveria e ka shpenzuar të gjithë buxhetin vjetor në pesë muajt e parë të vitit dhe pjesa më e madhe e këtyre shpenzimeve ka shkuar për fushatën zgjedhore.

Tagged with: , , , , , , ,
Posted in Kryesore, Veshtrim i Zgjeruar, Zgjedhje 2013
Follow TCJE: Twitter Facebook

TCJE presentation

A different approach: Implementing a nonprofit media model, TCJE’s mission is to improve the quality of journalism in Albania, focusing on providing coverage that strengthens democracy, rule of law and human rights. More

Supporting quality coverage: Find out about our donors and partners and how you too can assist. More