Partitë kryesore bëjnë premtime të pamundura për punësimin

Me punësimin që ka zënë kryet e programeve partiake në këtë fushatë zgjedhore, dy partitë më të mëdha të Shqipërisë, që do të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, premtojnë të krijojnë 250,000 deri 300,000 vende të reja pune në katër vitet e ardhshme. Nisur nga prirjet aktuale të punësimit dhe nga klima ekonomike globale, të dhenat zyrtare tregojnë se të tilla premtime janë tërësisht të paarritshme.

Në mandatin e tij të dytë radhazi gjatë katër viteve të fundit, koalicioni i kryesuar nga Partia Demokratike ka mundur të krijojë 67,000 vende të reja pune sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Statistikave (INSTAT). Gjatë mandatit të parë 2005-2009 u krijuan vetëm 42,000 vende të reja pune. Sektori privat ka qenë burimi kryesor i punëve të reja gjatë dhjetë viteve të fundit, ndërkohë që 26,000 vende pune janë shkurtuar në sektorin publik për shkak të privatizimeve në sektorët kryesorë gjatë periudhës 2000-2011, gjithmonë sipas të dhënave të INSTAT-it.

Të dhënat më të fundit të INSTAT-it tregojnë se Shqipëria kishte një papunësi prej 12.8 përqind, apo rreth 142,000 të papunë, në fund të tremujorit të parë të vitit 2013. Partia Socialiste në opozitë dhe sindikatat e punës pretendojnë se shifrat e papunësisë janë disa herë më të larta.

INSTAT-i vlereson se rreth 522,300 persona, diku rreth gjysma e forcës punëtore në Shqipëri, janë të punësuar në sektorin bujqësor privat. Ky vlerësim bëhet sipas një metodologjie tepër të diskutuar ku të gjithë personat që kanë tokë në zoterim llogariten si të vetpunësuar në sektorin bujqësor privat.

Kryeministri Sali Berisha ka premtuar se Partia Demokratike e tij do të krijojë 250,000 vende të reja pune, duke u mbështetur në një klimë të favorshme ndaj biznesit për shkak të taksës së sheshtë prej 10 perqind mbi të ardhurat vetjake dhe fitimin e korporatave.

Ndërkohë, Edi Rama, kryetari i Partisë Socialiste në opozitë, shprehet se partia e tij do të krijojë 300,000 vende të reja pune në sajë të programit të “Rilindjes”, i cili do të reformojë ekonominë e vendit dhe do të përdorë një taksim progresiv mbi të ardhurat vetjake, por do të ruajë të paprekur taksën prej 10 përqind mbi fitimet e kompanive.

Ekonomia shqiptare u rrit me vetëm 1.6 përqind në vitin 2012, duke pësuar një rënie nga  rritja prej 3 përqind gjatë viteve 2009-2011 dhe nga mesatarja vjetore prej 6 përqind gjatë viteve të para-krizës ekonomike globale.

Tagged with: , , ,
Posted in Kryesore, Zgjedhje 2013
Follow TCJE: Twitter Facebook

TCJE presentation

A different approach: Implementing a nonprofit media model, TCJE’s mission is to improve the quality of journalism in Albania, focusing on providing coverage that strengthens democracy, rule of law and human rights. More

Supporting quality coverage: Find out about our donors and partners and how you too can assist. More