ZGJERUAR: Kriza e KQZ rrezikon mbajtjen e zgjedhjeve në qershor

CEC's remaining four members

Katër anëtarët e mbetur në KQZ pëfaqësojnë koalicionin e djathtë qeverisës

Përgatitjet për zgjedhjet parlamentare në 23 qershor janë vënë në rrezik për shkak të krizës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, e krijuar si pasojë e vendimit të parlamentit për të zëvendësuar njërin prej anëtarëve të këtij trupi të pavarur përgjegjës për mbajtjen e zgjedhjeve.

Vota e parlamentit në 15 prill ka nxitur protestat nga opozita politike dhe ka çuar në dorëheqjen e dy anëtarëve të tjerë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dy akte këto që kanë ngrirë praktikisht punën e organit përgjegjës për administrimin e zgjedhjeve.

Partia Demokratike në mazhorancë është shprehur se zëvendësimi i anëtarit të KQZ ka pasur për qëllim rivendosjen e balancës në KQZ, e cila supozohet të jetë zyrtarisht e pavarur, por që në praktike është politikisht e varur në sajë të partive në mazhorancë dhe në opozite, të cilat propozojnë dhe kontrollojnë anëtarët e KQZ-së sipas një formule të projektuar për t’u dhënë partive në qeveri një mazhorancë. Gjithsesi Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila ishte pjesë e koalicionit qeverisës, ndërroi kah dhe iu bashkua opozitës të udhëhequr nga Partia Socialiste. Për rrjedhim anëtari i saj në KQZ u pushua dhe u zëvendësua nga një kandidat i propozuar nga Partia Republikane, një parti e vogël në aleancë me qeverinë.

Përfaqësuesit e opozitës pretendojnë se lëvizja në fjalë ishte jokushtetuese, meqë parlamenti nuk mund të zëvendësojë një anëtar në detyrë të KQZ-së përpara se mandati i tij të përfundojë, dhe akuzon se një akt i tillë vë në pikëpyetje ndershmërinë e procesit zgjedhor.

 Për të shmangur sfidat e mundshme ligjore të mbështetura në Kushtetutë, Partia Demokratike hoqi dorë nga arsyetimi i saj origjinal në zëvendësimin e përfaqësuesit të LSI-së në KQZ, Z. Ilirian Muho, si mjet për të rivendosur balancën politike në KQZ. Kësaj radhe demokratët përdorën një pretekst për të arritur synimin e tyre – kur Ilirian Muho punonte si prokuror rajonal në 2003, ai u pushua nga puna me urdhër të presidentit të republikës në atë kohë për sjellje jo etike. Demokratët pretenduan se Muho kishte gënjyer përpara parlamentit kur kishte qenë kandidat për t’u votuar si anëtar i KQZ, sepse e kishte fshehur të kaluarën e tij problematike.

Demokratët, të cilët në thelb udhëheqin një qeveri minoriteti pas largimit të LSI, nuk i kishin votat e nevojshme për të zëvendësuar anëtarin e KQZ, por nisma e tyre u ndihmua nga katër deputetë rebelë të opozitës. Sidoqoftë, suksesi i tyre në zëvendësimin e anëtarit të KQZ ka çuar në një efekt domino, ku dy anëtarë të tjerë të KQZ kanë dhënë dorëheqjen dhe një i tretë ka ngrirë aktivitetin e tij në këtë institucion. Të gjithë këta janë zyrtarisht përfaqësues të opozitës në KQZ.

Anëtarët e dorëhequr janë shprehur se qenë të detyruar për një akt të tillë për të ruajtur integritetin e KQZ-së, por gjithsesi është mëse e qartë se vendimi i tyre përfshin edhe politikën dhe është pjesë e strategjisë së opozitës si protestë kundër ndërhyrjes së qeverisë në KQZ. Këto lëvizje kanë sjellë aktualisht  një ngrirje efektive të punës në KQZ.

 Komuniteti ndërkombëtar seriozisht i shqetësuar

Komuniteti ndërkombëtar i ka vëzhguar zhvillimet e fundit thellësisht i shqetësuar. Administratat e BE dhe SHBA, të cilat kane investuar shume që Shqipëria të mbajë zgjedhje të lira dhe të ndershme, dërguan që të dyja zyrtarë të lartë për të komentuar mbi krizën e re, përtej deklaratave të ambasadave përkatëse në terren. Baronesha Catherine Ashton, Përfaqësuesja e Lartë e BE, e cila vizitoi Tiranën javën e fundit, deklaroi se Bashkimi Evropian e gjykon mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të qershorit si një tregues kyç të funksionimit normal të institucioneve demokratike në vend dhe të progresit në rrugën e integrimit evropian.

“Ne i kemi shprehur publikisht shqetësimet tona mbi pasojat e mundshme të një votimi në parlament mbi besimin e popullit në procesin zgjedhor,” tha ajo, duke iu referuar zëvendësimit të anëtarit të KQZ-së. “Është përgjegjësi e të gjithë politikanëve të garantojnë pavarësinë e institucioneve dhe të mundësojnë që këto institucione të gëzojnë besimin e të gjithëve. Procesi nevojitet të jetë i besueshëm.”

Përfaqësuesit e SHBA-ve i kanë shprehur gjithashtu shqetësimet e tyre dhe zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit për çështjet e EuroAzise, Jonathan Moore, vizitoi Tiranën në kulmin e krizës së KQZ-së, duke u takuar me të gjithë zyrtaret e lartë shqiptarë dhe me liderët e opozitës.

Në një konference për shtyp, ai deklaroi se SHBA-të janë tepër të shqetësuara me tensionet në rritje në politikën shqiptare, të cilat lindën nga votimi i parlamentit për të zëvendësuar anëtarin e KQZ-së.

“Në disa nga takimet e kryera ne diskutuam zhvillimet më të fundit në parlament. Siç e ka bërë të qartë ambasada jonë, edhe pse e kuptojmë se ka pasur disa shqetësime mbi ndryshimet në balancë pas formimit të koalicionit [të opozitës], ne besojmë se ka argumente ligjore të forta që vënë në pikëpyetje votimin e parlamentit në 15 prill,” u shpreh Moore përpara gazetarëve në një konferencë për shtyp.

Kriza e KQZ-së vë në pikëpyetje përgatitjet për zgjedhjet

Dy dorëheqjet e anëtarëve të KQZ-së, të propozuar nga Partia Socialiste, praktikisht e kanë ngrirë punën e trupit kryesor në administrimin e zgjedhjeve.

Zj. Jozefina Topalli, kryetarja e parlamentit, u kërkoi socialistëve të dorëzonin propozimet e tyre për vendet e mbetura bosh, por socialistët kanë bërë të ditur se nuk kanë për ta bërë një gjë të tillë. Opozita shqiptare ka një histori të gjatë në bojkotimin e institucioneve të cilat i sheh si të ndikuara padrejtësisht nga qeveria, ndërkohë që qeveria ka një histori të gjatë refuzimesh për të arritur kompromis me opozitën, dy përvoja këto, sipas analistëve, që nuk premtojnë shumë për të ardhmen e procesit zgjedhor.

Kodi Zgjedhor, legjislacioni që qeveris mënyrën si mbahen zgjedhjet, mandaton zëvendësimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve jo më vonë se 48 orë nga krijimi i një vendi vakant. Dhe meqë të dyja karriget duhet të propozohen nga Partia Socialiste, funksionimi i KQZ-së ngelet në dorë të PS dhe këtyre dy propozimeve.

Megjithatë, Edi Rama, udhëheqësi i socialistëve, është shprehur se kjo nuk është thjesht një çështje për të zëvendësuar një emër me një tjetër – këtu bëhet fjalë për legjitimitetin e KQZ dhe funksionimin e saj të pandikuar nga presioni politik.

Nga një këndvështrim praktik, mungesa e dy anëtarëve nuk e pengon funksionim e përditshëm të institucionit, por gjithsesi ndikon në imazhin dhe besueshmërinë e tij.

 

Kriza po dëmton më tej besimin në zgjedhje

Është pikërisht mungesa e besimit në procesin zgjedhor në përgjithësi dhe mosbesimi i thellë midis Partisë Demokratike të kryeministrit Sali Berisha dhe Partisë Socialiste të Ramës që i ka shqetësuari së tepërmi vëzhguesit e pavarur dhe përfaqësitë ndërkombëtare në lidhje me produktin final të procesit zgjedhor.

“Sipas pikëpamjes sonë, shqiptarët kanë nevojë për një proces të mbështetur në besueshmëri, profesionalizëm dhe standarde,” tha ambasadori i BE në Tiranë, Z. Ettore Sequi, duke shtuar se BE e shikon si diçka jetike për Shqipërinë mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe se këto shërbejnë si një test për funksionimin e institucioneve sipas standardeve demokratike.

Ambasada amerikane ndërmori një rol aktiv javën e kaluar, duke apeluar në mënyrë të përsëritur përballë të gjithë aktorëve politikë në Shqipëri – ata në qeveri dhe ata në opozitë – të vepronin në atë mënyrë që rriste besimin e publikut në ndershmërinë dhe integritetin e procesit zgjedhor.

“Zgjedhjet sipas standardeve do të përmirësonin perspektivën që rezultati i zgjedhjeve të pranohet nga të gjitha palët dhe nga publiku, për të mirën e demokracisë shqiptare dhe integrimin gjithnjë e më të madh në komunitetin e kombeve euro-atlantike,” tha ambasadori amerikan në një deklaratë për shtyp. “Përsa i përket përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, është e rëndësishme të kujtojmë se anëtarët e KQZ – të cilët janë zgjedhur dhe caktuar në detyrë në saj të konsensusit ndër-partiak dhe në përputhje me Kodin Zgjedhor – vlerësohen të jenë apolitikë.”

Tagged with: , , ,
Posted in Kryesore, Veshtrim i Zgjeruar, Zgjedhje 2013
Follow TCJE: Twitter Facebook

TCJE presentation

A different approach: Implementing a nonprofit media model, TCJE’s mission is to improve the quality of journalism in Albania, focusing on providing coverage that strengthens democracy, rule of law and human rights. More

Supporting quality coverage: Find out about our donors and partners and how you too can assist. More